Blerjet më të mira që kanë bërë Real Madridi dhe Barcelona

Futboll

Blerjet më të mira që kanë bërë Real Madridi dhe Barcelona

Më: 28 dhjetor 2016 Në ora: 00:52
Ilustrim

Kur Reali i Madridit dhe Barcelona të kërkojnë në merkato, atëherë je pa diskutim një prej më të mirëve në botë. Niveli i blerjeve të dy gjigantëve spanjollë ka qenë gjithnjë i një klasi maksimal dhe për këtë arsye, prestigjiozja “Goal.com” ka publikuar 25 goditjet më të mira të klubeve.

Te madrilenët, i pari është Alfredo di Stefano, duke vlerësuar faktin që ai ishte udhëheqës i padiskutueshëm i skuadrës, me një diferencë të madhe cilësie nga pjesa tjetër e lojtarëve. Ai, jo vetëm që i dha shumë trofe Realit në fushën e lojës, por e bëri edhe si trajner si dhe në role të tjera drejtuese, përfshirë atë të këshilltarit apo presidentit të nderit.

Ndërkohë, në vendin e dytë është pozicionuar Zinedin Zidan, i cili ka lënë pas Ronaldon. Në arsyetimin e kësaj përzgjedhje, francezi është vlerësuar si një përforcim më cilësor, pasi ka vazhduar të jetë pjesë e rëndësishme e klubit edhe pas tërheqjes nga futbolli, duke i dhënë trofeun e Ligës së Kampioneve një herë si ndihmës dhe një tjetër si trajner i parë.

Kur debutoi në vitin 1958, askush nuk e mendonte që do t’i jepte Realit një epokë të artë. Fitoi 8 tituj kampion, 1 Kupë të Gjeneralit, 2 Kupa Latine, 1 Kupë të Europës, 1 Kupë Interkontinentale. Ishte golashënuesi më i mirë në pesë sezone dhe fitoi dy “Topa të Artë”. Është i pari se triumfoi edhe si trajner, edhe si president

Alfredo di Stefano
Zinedin Zidan
Kristiano Ronaldo
Ferenc Pushkash
Luis Figo
Ronaldo
Hugo Sançez
Roberto Karlos
Serxhio Ramos
Pako Bujo
Pako Gento
Fernando Redondo
Mishel Salgado
Rajmond Kopa
Isko
Fernando Morientes
Ivan Zamorano
Fernando Hierro
Rikardo Zamora
Majkëll Laudrup
Pedrag Mijatoviç
Migel Munjoz
Luis Molovni
Devid Bekham
Uli Stielike

Sa i përket Barcelonës, duket se vendi i parë nuk ka pasur asnjë rival, pasi pritej të ishte Lionel Mesi, i cili ka thyer çdo rekord në klub. Por, ka spikatur përzgjedhja e vendit të dytë, që është zënë nga Paulinjo Alkantara. “Kur presidenti Joan Gamper e bleu në vitin 1921, klubi nuk ishte i suksesshëm dhe e kishte të vështirë të bënte diferencën. Por, Paulinjo Alkantara e udhëhoqi thuajse i vetëm në fushë, duke i dhënë pesë tituj kampion të Spanjës. Mjafton të shikosh shifrat për të kuptuar rëndësinë e tij, pasi shënoi 369 gola në 357 ndeshje”, thuhet në arsyetimin e “Goal.com”.

Ndërkohë, në vendin e tretë është spanjolli Luis Suarez. Ai, jo vetëm që ishte lideri i katalanasve në triumfin e dy titujve kampion dhe dy Kupave të Gjeneralit, por u kthye edhe në transferimin më të shtrenjtë të kohës, kur Barcelona e shiti tek italianët e Interit.

Barcelona e mori kur ishte vetëm 13 vjeç, duke besuar te talenti i tij. Më vonë, u shpërblye me të gjithë trofetë e mundshëm të fituar mininalisht një herë, që kur Mesi debutoi si profesionist. Mes të tjerave, ka fituar pesë herë “Topin e Artë”, si askush tjetër në historinë e futbollit.

Lionel Mesi
Paulinjo Alkantara
Luis Suarez (spanjolli)
Cesar Rodrigez
Johan Krujf
Migel
Luis Enrike
Luis Figo
Ronaldinjo
Samuel Eto
Hristo Stoiçkov
Hoze Mari Bakero
Ronald Kuman
Andoni Zubizarreta
Dani Alvesh
Rivaldo
Xherard Pike
Nejmar
Diego Armando Maradona
Majkëll Laudrup
Johan Neskens
Romario
Antoni Ramajets
Bernd Shuster
Ronaldo

Emri që i bashkon të dy klubet në merkato është ai i Luis Figos. Portugezi shkëlqeu me Barcelonën, para se të transferohej te rivalët e përjetshëm të Realit, ku gjithashtu la gjurmë me klasin e treguar në fushën e lojës. Gjithsesi, në Madrid ka zënë vendin e pestë si blerja më e mirë, ndërsa te katalanasit është i teti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat