Besojnë shumë te Mavraj

Futboll

Besojnë shumë te Mavraj

Më: 23 janar 2017 Në ora: 16:18
Mavrajn dhe Papadopulosin

Mërgim Mavrajn me ekipin e Hamburgut e presin sfida të vështira në Bundesliga I. Hamburgu lufton për të siguruar mbijetesën në ligë, për faktin se janë në pozitë shumë të vështirë përkatësisht në vend të 16-të me 13 pikë pas 17 jave.  Mavraj zhvilloi takimin e parë zyrtar për Hamburgun të shtunën që e lamë pas dhe pësuan me rezultat 1:0 në konak të Wolfsburg-ut. Mbrojtësi shqiptar nga Koln iu bashkua Hamburgut dhe besojnë se ai do të sjellë një siguri të plotë në repartin e mbrojtjes.  Mediat në Hamburg shkruajnë se mbijetesa nuk do të jetë aq e vështirë tani që prapavija është blinduar me Mavrajn dhe Papadopulosin. “Hamburger Morgenpost” i ka kushtuar një speciale dy mbrojtësve të rinj të cilët i lavdëron për faktin se kanë fituar mbi 60 për qind të dueleve me kundërshtarët, ndërsa i lejuan sulmit të frikshëm të Wolfsburg-ut të shënonte vetëm një gol. “Dukej sikur kishin qenë në këtë skuadër prej shumë kohësh. Ishte shumë e bukur t’i shihje të luanin”, ka thënë drejtori sportiv i Hamburgut, Jens Todt.  Për Mavrajn, kaq nuk ishte e mjaftueshme. “Sigurisht që jam i zhgënjyer me rezultatin. Por kemi treguar shumë gjëra pozitive gjatë kësaj ndeshje”, tha mbrojtësi shqiptar i cili si rrallëherë, ishte poshtë 70 për qind të saktësisë në pasimet e tij, ndoshta edhe për faktin se nuk është ambientuar mirë me shokët e skuadrës. Gazeta gjermane mbyll artikullin e saj me bindjen se “gjasat” e Hamburgut me dy qendërmbrojtësit Papadopulos dhe Mavraj, sigurisht që nuk janë të këqija”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat