Trajneri i Interit paralajmëron Juventusin

Futboll

Trajneri i Interit paralajmëron Juventusin

Më: 29 janar 2017 Në ora: 19:34
Stefano Pioli

Fitorja (3:0) ndaj Pescara-s, e shtata radhazi në Serie A,  ka rritur besimin te Inter-i që tashmë ka kthyer sytë nga Juventusi. I lumtur për fitoren 3:0 në shtëpi trajneri Stefano Pioli duartroket Interin e tij, por nuk vetëkënaqet: “Shumë lojtarë po japin shumë, por janë në gjendje të japin edhe më shumë: nuk jemi ende në maksimumin tonë”, thotë ai për “Serie A Live” në Premium. “Kemi luajtur si skuadër dhe fituam me meritë”, nënvizon Pioli që shënjestron Juventusin. “Më parë është Lazio në Kupën e Italisë, por në stadium do të shkojmë me dëshirën për të fituar. E dimë se ndeshja me Juventusin do të jetë e rëndësishme për ecurinë tonë në kampionat, por më parë kemi Kupën, një ndeshje brenda dhe jashtë shtëpisë me një skuadër të madhe si Lazio, në një garë që e kemi shumë për zemër” – vijon trajneri zikaltër. “Përqendrimi duhet të jetë maksimal, pastaj do të mendojmë për Juventusin. Do të shkojmë në Torino për të dhënë maksimumin, për të luajtur si Interi, me pozitivitet dhe dëshirën për të kaluar një kundërshtar shumë të fortë”. Për sa i takon fitores ndaj Pescaras: “Na krijuan vështirësi dhe fituam me meritë. Mund të ishim më të saktë në zotërimin e topit, pastaj është normale që nuk mund të luajmë 95 minuta me ritme të larta, por duhet të bënim më mirë. Po bëjmë gjëra të mira, por ju siguroj se kemi mundësi të japim më shumë”, tha trajneri i Interit. Pioli është i bindur dhe e di motivin: “Kemi një bazë të mirë mbi të cilën mund të ndërtojmë diçka. Stërvis një skuadër të fortë dhe kam mbetur i befasuar nga dëshira e tyre për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur. Me këto vlera teknike mund të bëjmë mirë. Historia e Interit na imponon të fitojmë”, tha Pioli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat