Shala me rol të ri në elitën finlandeze!

Futboll

Shala me rol të ri në elitën finlandeze!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 prill 2017 Në ora: 19:30
Drilon Shala

Ndryshon roli i futbollistit nga Kosova, Drilon Shala. Ai nuk do të luaj si sulmues, por në pozicionin e mbrojtësit te skuadra e FC Lahti, që garon në Superligën e Finlandës. Një rol i ri për shqiptarin, por detyrën e kryen mjaft mirë, madje beson se mund ta bindë edhe përzgjedhësin e kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, për ta ftuar për ndonjë ndeshje në muajit e ardhshme.

“Bota sot”: Drilon, në tri ndeshjet e para, një fitore e dy barazime, rezultate të (pa) pritura për FC Lahti?

Drilon Shala: Janë pritur, se kemi ekipin e mirë edhe po luajmë kompakt.

“Bota sot”: Edicionin e kaluar keni pasur rolin e sulmuesit, tani luani në pozitën e mbrojtësit?

Drilon Shala: Po, kam luajtur gjatë karrierës si lojtar krahu e sulmues, tani jam mbrojtës. Roli i ri me konvenon shumë mirë, gjithashtu ka shkuar mirë edhe si sulmues, në të gjitha anët!

“Bota sot”: Në tri ndeshjet e para, dy herë standardë, një herë zëvendësues, a jeni në formën më të mirë?

Drilon Shala: Jam 30 vjeç dhe e ndjej vetën që jam në formën më të mirë dhe besoj që do të vazhdojë të luaj edhe më mirë.

“Bota sot”: A është vështirë të luash si mbrojtës?

Drilon Shala: Nuk më vjen aq vështirë, se jam i shpejt dhe kur e marrin topin, jam çdo herë në situatë pozitive dhe normalisht me përshtatet mirë.

“Bota sot”: A është më lehtë si mbrojtës apo kur keni qenë sulmues?

Drilon Shala: Normalisht se të dyja i kanë vështirësitë e veta, por për mu mbrojtja është më e lehtë, sepse i lexojë fort mirë sulmuesit se çfarë duan! Vet një kohë isha sulmues, tani e di se çka duan ata.

“Bota sot”: Sot, FC Lahti takohet me FC JJK, a besoni në tri pikë?

Drilon Shala: Normal që presim fitore, por duhet me luajtur me kujdes dhe me qenë kompakt. Për momentin në Finlandë fushat janë shumë të këqija, se ende nuk janë në nivelin e duhur nga koha e dimrit.

“Bota sot”: Cilat janë synimet e ekipit tuaj?

Drilon Shala: Synimet janë që çdo lojë kemi me u koncentruar dhe për të fituar. Synimet janë që mundemi me zënë tre vendet e para dhe të luajmë në garat Evropiane.

“Bota sot”: A është Lahti edhe më i fortë se edicionin e kaluar?

Drilon Shala: Besoj që është, sepse tani e ka një mbrojtës më të mirë dhe e kemi ekipin më teknik.

“Bota sot”: Cilat skuadra luftojnë për titull?

Drilon Shala: Janë disa ekipe, si Helsinki, Ilves,  SJK, Lahti e Marienhami.

“Bota sot”: Kombëtarja e Kosovë ka mungesë të mbrojtësve, a do ta bindeni përzgjedhësin Albert Bunjakin?

Drilon Shala: Besoj se do të vazhdojë kështu,  jam shumë interesuar të vijë e ta ndihmojë kombëtaren.  Besoj se me këtë përvojë mund të jap shumë, por me kohë do të dëshmohet, të shohim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat