Jeta vazhdon

Futboll

Jeta vazhdon

Më: 28 maj 2017 Në ora: 14:52
Shkëlqim Muça

Askush nuk e ka menduar se Tirana mund të arrijë në këtë gjendje. Megjithëse sinjalet e alarmit kanë rënë prej javësh dhe muajsh, as futbollisti dhe ish-trajneri Shkëlqim Muça nuk e kishte çuar nëpër mend një situatë të tillë. Në një intervistë të shkurtër për “Panorama Sport”, Muça është i përmbajtur në fjalët e tij dhe shprehet se nuk është momenti që të flitet për fajtorë e shkaktarë të situatës.

I pyetur se çfarë ka ndjerë pasi ka përfunduar ndeshja me Vllazninë, Muça ka deklaruar: “Keqardhje! Ndjeva keqardhje, por jeta vazhdon…”.

Shkëlqim Muça nuk është ndalur për të gjetur fajtorë dhe shkaktarë të kësaj situate, por në fjalën e tij ka treguar se suksesi dhe dështimi ndahet me të gjithë në një ekip.

“Nuk është momenti që të ndalesh e të thuash se kush e solli. Megjithatë, kur fitohet një ndeshje apo edhe një trofe, meritat i kanë të gjithë. Që nga lojtarët, stafi, drejtuesit dhe të gjithë që janë pjesë e klubit. Edhe në këtë rast, të tillë janë fajtorët”, ka deklaruar Muça.

Ndërkohë, ai ka treguar se nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë situatë: “Në fillim të dy fazave të fundit po vija re se janë në vështirësi, por nuk e kam çuar nëpër mend se do të shkonin deri në këtë pikë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat