Gashi i impresionuar me talentet shqiptarë dhe atmosferën në FC Luzern

Futboll

Gashi i impresionuar me talentet shqiptarë dhe atmosferën në FC Luzern

Nga: Kemajl Goca Më: 2 qershor 2017 Në ora: 19:06
Skënder Gashi, kryetar i PLK-së në mes të njomakëve të Luzernit

Në vitet e fundit dolën në sipërfaqe një numër i madh i futbollistëve të talentuar shqiptarë që luajnë në klubet e ndryshme të shteteve të Evropës, gjithsesi edhe në Skandinavi e deri në Australinë e Largët.  Numri më i madh i talenteve shqiptarë pa dyshim është në Zvicër, po ashtu edhe në Gjermani etj.  Prej vitesh kanë dalë në skenë emra të njohur, si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Florent Hadërgjonaj, Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi, Hekuran Kryeziu etj. E veçanta është se me grup-mosha të reja punohet me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe në shumë klube shqiptarët paraqiten me sukses sidomos edhe për grup-moshat U-10, U-11, U-12, U-14, U-16 etj.  Në klubin e futbollit Luzerni, anëtar i elitës së futbollit zviceran, aktualisht për seniorë luajnë tre shqiptarë, Hekuran Kryeziu, që paraqitet standard dhe është pjesë edhe e kombëtares së Kosovës, së fundi po zë vend edhe Idriz Voca,  përveç tyre është edhe Qëndrim Kameraj. 

Image

Ditë me parë, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), z. Skënder Gashi, nga afër përcolli turneun e futbollit në Luzern dhe aty u pritë ngrohtësisht nga drejtuesit e këtij klubit të grup-moshave të reja. Ai nga afër ka parë se si punohet, si luajnë këta djelmosha që janë e ardhmja e këtij sporti, ku ka edhe mjaft shqiptarë në këtë mjedis. Z. Gashi u nda jashtëzakonisht i kënaqur me pritjen dhe atmosferën në këtë kolektiv të mirënjohur.  Në turneu morën pjesë gjashtë ekipe, ndërsa Luzerni U-13 zuri vendin e parë. Në këtë kolektiv të mirënjohur janë edhe dy shqiptarë të talentuar, të cilët premtojnë shumë në të ardhmen. Është fjala për Blerand Hoxhën dhe Leonit Imerin. Dy njomakë me paraqitjet e tyre po fascinojnë dhe pretendojnë të përsosen në çdo aspekt, që në vitet e ardhshme të jenë edhe protagonistë të ekipit të parë. Trajnerët e këtij kolektivit ishin të impresionuar me paraqitjen e djelmoshave dhe njëkohësisht që i përcolli nga afër edhe kryetari i PLK-së, Skënder Gashi. 

Trajnerët Stefan Geisseter, Rob-Jon Winter e Iwan Russi, panë talentin e njomakëve që vlonin në fushë sikur një tufë bletësh. Z. Gashi deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot”, se vërtet ka qenë privilegj të jesh në një turne madhështorë dhe t’i përcjellësh djelmoshat sidomos një ekip me traditë, siç është Luzerni.  Një turne, pa dyshim që solli drithërima në mesin e të pranishmeve, veçmas te trajnerët, të cilët mbeten të mahnitur edhe me teknikën e lojës që dëshmuan disa nga djelmoshat  e klubeve të ndryshme, mbase duke imituar edhe idhujt e tyre, siç janë Ronaldo, Messi, Suarez, Dybala, Neymar, Lewandowski, Ibrahimoviç etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat