Konfirmohen Zendeli dhe Nuhiu

Futboll

Konfirmohen Zendeli dhe Nuhiu

Më: 9 qershor 2017 Në ora: 14:47
Ilustrim

Skuadra e FC Shkupit edhe sezonin e ri 2017/18, do të jetë pjesë e Ligës së Parë, ndërsa kryesia e re me në krye presidentin Omer Bunjaku ka filluar menjëherë angazhimin për formimin e grupit të ekipit, duke filluar nga trajneri Ardian Nuhiu dhe kapiteni Suat Zendeli, me të cilët kanë rinovuar marrëveshjet.
Fillimisht presidenti Bunjaku është takuar me Nuhiun, të cilit i është dhënë besimi edhe për sezonin e ri, ndërsa kontrata është nënshkruar për 2 vite.
“Vazhdimi i kontratës të motivon edhe më tepër në punë, të jep një përgjigje nga presidenti i ri se të është vlerësuar punë e këtyre gjashtë muajve që isha trajner i parë. Është ndjenjë e mirë kur në një klub përveç se të vlerësojnë punën, bëjnë që të ndjesh edhe ngrohtësinë nga të gjithë në klub dhe rreth tij. Më vjen mirë për klubin, futbollistët publikun e Çairit dhe tifozerinë e flaktë “Shvercerat” që objektivi u arrit dhe klubi ynë edhe sezonin tjetër do të garojë në Ligën e Parë. Besoj shumë në këtë projekt të ri dhe pres që të rritet niveli dhe cilësia. Që tani më duhet të njoftoj se jemi në bisedime me disa futbollist që do të jenë përforcime në klub, të cilët do të plotësojnë disa pozita ku duhet të rrisim kualitetin e ekipit”, ka thënë trajneri Ardian Nuhiu.


Më pas kontratë të re ka nënshkruar edhe Suat Zendeli, i cili gjatë gjithë sezonit jo vetëm që ka luajtur rolin e një kapiteni dhe lideri të vërtet, por edhe ishte shtylla kryesore e ekipit duke shpëtuar shumë herë skuadrën në momente të vështira.
“Kam vendosur që ri qëndroj besnik klubit edhe për disa vite të tjera. Edhe përkundër shumë ofertave dhe kushteve ndoshta më të mira që më janë ofruar, unë po e them që tani se me Shkupin do e mbylli karrierën e futbollit aktiv. Nuk më është dashur shumë të mendoj dhe ti jap përgjigje pozitive presidentit të klubit Omer Bunjakut, me të cilin tani më njihemi vite të tëra. Unë në klub nuk kisha ardhur asnjëherë për persona dhe individ, por kam ardhur te tifozeria me të cilët jam rritur. Të gjithë vijnë dhe shkojnë, por klubi dhe tifozët gjithmonë mbesin këtu. Shpresoj këtë sezon të bëjmë një ekip edhe më të fortë dhe të jemi në mesin e atyre skuadrave që do të luftojmë për dalje në Evropë”, ka thënë kapiteni i skuadrës Suat Zendeli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat