Gjithçka është gati për Kupën e Konfederatave

Futboll

Gjithçka është gati për Kupën e Konfederatave

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 16:45
Pamje nga njëri nga stadiumet

Gjithçka është gati për Kupën e Konfederatave 2017 në futboll, e cila do të mbahet nga 17 qershori deri me 2 korrik në Rusi. Kjo garë pritet me kërshëri dhe disa nga kombëtaret pjesëmarrëse pretendojnë ta fitojnë Kupën. Kampioni në fuqi i Botës, Gjermania dhe ai i Evropës, Portugalia, llogariten si ndër favoritët së bashku me Kilin, pa përjashtuar edhe Rusinë që është si mikpritëse. Në grupin A garojnë: Rusia, Zelanda e Re, Portugalia e Meksika, ndërsa në grupi B janë: Kameruni, Gjermania, Kili e Australia.  Nesër, në orën 17.00, në “Krestovsky Stadium” të Shën Petërsburgut do të luhet ndeshja mes Rusisë dhe Zelandës së Re, e vlefshme për xhiron e parë të Kupës së Konfederatave 2017 (Grupi A). Vendasit duan ta nisin turneun në mënyrën e duhur. Rusia do të bëjë paraqitjen e saj të parë zyrtare në Kupën e Konfederatave pas disa miqësoreve ku ka treguar një formë të mirë. Në tri miqësoret e fundit, rusët kanë marrë një fitore bindëse 3:0 kundër Hungarisë, një barazim 1:1 ndaj Kilit në Moskë dhe një barazim 3:3 kundër Belgjikës.  Zelanda e Re, nga ana e saj, ka fituar të drejtën për të luajtur në Kupën e Konfederatave falë titullit të Kampiones së Oqeanisë, i fituar pasi ka mundur me penallti Papua Guinea e Re në 2016-ën. Ky turne do t’i japë mundësinë kësaj kombëtareje që të tregojë talentet e saj, pavarësisht se konsiderohet si ekipi më i dobët i kësaj gare, duke parë se nuk ka marrë asnjë fitore në tri pjesëmarrjet e mëparshme në Kupën e Konfederatave.

Diferenca mes Zelandës së Re, që mbetet në kërkim të një suksesi historik, dhe kombëtareve të tjera është shumë e madhe, por lojtarët e Hudson do të kërkojnë t’i krijojnë probleme rivalëve. Para se të niseshin për në Rusi, “All Whites” kanë luajtur dy miqësore, të dyja të humbura me rezultatin 1:0 kundër Irlandës së Veriut dhe Bjellorusisë. Të dielën do të takohen: Portugalia-Meksika (17.00) e Kameruni-Kili (20.00). Portugezët do kenë mjaft vështirë, por besojnë e shpresojnë në fitore, ndërsa ndeshje interesante do të zhvillohet edhe ndërmjet kombëtares afrikane, Kamerunit dhe asaj nga Amerika e Jugut, Kilit.

Grupi A

Meksika

Rusia

Zelanda e Re

Portugalia

Grupi B

Kameruni

Gjermania

Kili

Australia

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat