Neymar më në fund ka fituar të drejtën për të debutuar me nënkampionët e Francës, sepse problemi i bankës që bën të mundur transferimin e tij është zgjidhur. Sulmuesi do ta nisë aventurën e re me ndeshjen e së dielës kundër Guingampit.
25-vjeçari javën e kaluar u shndërrua në “hitin e verës” duke lënë Barcelonën për 222 milionë euro, por nuk arriti të luante në javën e parë të kampionatit, për shkak se detajet e fundit të regjistrimit të tij nuk ishin mbyllur. “Goal” sot shkruan se procedurat do të kryhen për 24 orë dhe Neymar do të jetë titullar në “Stade du Roudourou”.
“Neymar sa një stadium?! Më mirë stadiumin!”
Ish-ylli i Santosit deri tani ka pritur për Certifikatën e Transferimit Ndërkombëtar (ITC), por Barcelona ka refuzuar ta firmosë pa derdhur shumën e plotë të pagesës së PSG-së në llogarinë e saj bankare. Katalanasit tashmë i kanë marrë paratë dhe kanë dhënë njoftimin përkatës, që Federata Spanjolle e Futbollit të dërgojë ITC-në në Francë.
Sapo Federata Franceze e Futbollit të verifikojë dokumentin, Neymar do të marrë lejen për të luajtur. Kështu, kalimi i tij te PSG-ja do të jetë 100% i kryer.