Lojtari që kishte nisur karrierën në Cërvena Zvezdë luan për klubin shqiptar

Futboll

Lojtari që kishte nisur karrierën në Cërvena Zvezdë luan për klubin shqiptar

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 13:33
Ivan Fatiç gjatë prezantimit

Skuadra e Shkupit në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës ka përforcuar repartin e mbrojtjes me malazezin Ivan Fatiç, futbollist ky me një bagazh të madh pas vetes duke luajtur në shumë ekipe të Serie A.

Karrierën e tij si futbollist profesionist e kishte filluar te Cërvena Zvezda e Beogradit që më pas të fillojë në vitin Chiaso të Zvicrës, prej ku transferohet në Chievo të Seria A dhe vazhdoi rrugëtimin për te gjiganti italian Interi i Milanos. Pas dy viteve me Interin Fatiç luajti edhe me Vicenzan, Salernitana, Genoa, Cesena, përsëri Chievo, Empoli, Verona, Lecce. Më pas luan te Vojvodina, Rudar Plevlja, që në vitin 2015 të luaj në kampionatin e Malajzisë me Sarawak FA, ndërsa sezonin e kaluar ishte futbollist i skuadrës boshnjake  Slloboda Tuzlla.

Në skuadrën e Shkupit 29 - vjeçari i lindur në Plevlje arriti të shtunën në mbrëmje, ndërsa debutimin e tij të parë e kishte të dielën në miqësoren ndaj KF Vëllazërimit, ku trajneri Ardian Nuhiu i dha mundësinë që të luajë në 35 minutat e fundit, ku Shkupi fitoi me rezultat 2:1.

Për pritjen te Shkupi dhe përshtypjet e para në skuadrën bardhekaltër nga Çairi ka folur futbollisti, i cili mes tjerash ka thënë se që në takimin e parë, të gjithë e kanë pranuar mirë dhe se ndjehet shumë i kënaqur.

“Që në ditën e parë e kam parë që kam ardhur në një vend mjaft të qetë dhe që më bëri të ndjehem sikurse të jem në familjen time, djelmoshat më kanë pritur mjaft mirë, njëjtë edhe trajneri. Mendoj se ata do të më ndihmojnë mua, por edhe unë ata, jam mjaft i gëzuar që përsëri i kthehem futbollit pasi që kam bërë një pushim prej gjashtë muajve. Pas ndarjes me Slloboda Tuzllën, jam shumë i gëzuar që u jam kthyer stërvitjeve dhe futbollit, kjo është jeta ime dhe shpresoj se të gjithë do të jemi të kënaqur. Nga klubi më kanë thënë se këtë sezon synojnë mbetjen në ligë, ndërsa unë besoj nga ajo që pashë edhe në ndeshjen e djeshme kundër Vëllazërimit se ka një skuadër mjaft të mirë që krijon shumë raste për të shënuar, por që do të na duhet të punojmë shumë për të arritur qëllimet tona”, ka thënë mbrojtësi i ri i skuadrës së Shkupit Ivan Fatiç, raporton faqja e klubit Shkupi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat