Tovërlani: Meritokracia nuk vlen në futboll

Futboll

Tovërlani: Meritokracia nuk vlen në futboll

Nga: Kemajl Goca Më: 8 shtator 2017 Në ora: 15:48
Afrim Tovërlani

Trajneri i mirënjohur Afrim Tovërlani, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se potencial ka, por duhet një qasje dhe strategji tjetër në kombëtaren e Kosovës. Tovërlani apo trajneri më i trofeshëm në vendin tonë, e ka marrë si shembull edhe Luksemburgun që barazoi në ballafaqim me Francën. Ish trajneri i disa skuadrave me renome në Kosovë, flet se ka pritur apo jo më shumë nga Kosova, e cila garon në grupin I të kualifikimeve në Kampionatin Botëror, po ashtu edhe për dy javët e para në elitën e futbollit të Kosovës. 

“Bota sot”: Kombëtarja e Kosovës deri me tash ka zhvilluar 8 ndeshje, ka një barazim e shtatë humbje, a është pritur më shumë, apo ky është realiteti?

Afrim Tovërlani: Mendoj që mrekulli nuk kemi pritur, por ka mundur shumë më shumë. Kualifikimi ka qenë i pamundur në këtë fillim, por mendoj që duhet falënderuar Bunjakun dhe të shikohet para me ndonjë trajner të huaj për kualifikimet për evropian. Meritokracia nuk vlen në futboll. Potencial ka, por duhet një qasje dhe strategji tjetër.

“Bota sot”: A mendoni se vërtet Kosova ka qenë në një grup të ferrit, kur dihet se u ballafaqua me Kroacinë, Ukrainën, Turqinë, Islandën, me përjashtim të Finlandës?

Afrim Tovërlani: Mendoj që ka qenë grup shumë i fortë, por në sport nuk ka të pamundur, si luajti Luksemburgu me Francën me rezultat 0:0. Pra thjesht nuk kemi shfrytëzuar potencialin që kemi pasur për humbje me të ngushta dhe rezultate me të kapshme, por jo të kërkonim edhe kualifikim, të jemi real e korrekt.

“Bota sot”: Thoni se kemi potencial, por duhet një strategji dhe qasje tjetër, cilat duhet të jetë ajo?

Afrim Tovërlani: Atë duhet ta zgjedhë selektori i ardhshëm së bashku me kreun e FFK-së. Ka pasur shumë lëshime e mangësi. Ai që do të paguhet duhet të zgjedhë strategji dhe të jap përgjegjësi.

“Bota sot”: Deri me tash janë zhvilluar dy javë në elitën e futbollit, si i vlerësoni, ka rritje apo jo të cilësisë?

Afrim Tovërlani: Mendoj që është herët të flasim për ngritje apo rënie, sepse duhet të kalojnë edhe disa xhiro, por besoj se do të ketë ngritje, duke parë disa skuadra të përforcuara. Rivaliteti këtë vit do të jetë më i madh.

“Bota sot”: Kombëtarja e Kosovës U-21, e cila drejtohet nga Rafet Prekazi, a mendoni se po befason për të mirë deri me tash?

Afrim Tovërlani: Po, mendoj se është duke bërë një punë të mirë dhe po dëshmon se në Kosovë ka trajner që e dinë zanatin.

“Bota sot”:  A ka forcë Kosova me futbollistët që ka, në 3-4 vitet e ardhshme të jetë një Kroaci e dytë për Evropë?

Afrim Tovërlani: Po, mendoj se me një strategji dhe planifikim të mirë mund të kemi ngritje dhe ekip që mund të jetë konkurrues në 4-6 vitet e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat