Prishtina dhe Liria do të zhvillojnë duelin e 40-të

Futboll

Prishtina dhe Liria do të zhvillojnë duelin e 40-të

Më: 8 shtator 2017 Në ora: 16:49
Pamje nga ndeshja

Prishtina dhe Liria nesër nga ora 16:30 në Drenas e zhvillojnë duelin e javës së tretë të Vala Superligës. Do të jetë ky dueli i 40-të në dy kompeticione pas luftës që janë ndeshur dy skuadrat.

Në 39 sa janë zhvilluar deri tash, Prishtina ka absolutisht bilanc pozitiv prej 22 fitoreve, 8 barazime dhe 9 humbjeve, me goldallim +30, 64:34.

Liria përveç një titulli kampioni të para luftës dhe një Kupe të Republikës pas luftës nuk ka trofe tjetër dhe rival i denjë i Prishtinës ka qenë vetëm në këtë kohë, e pastaj përpëlitej në luftë për ekzistencë dhe duke rënë tre herë nga elita e futbollit tonë. Por, tani, rivali i moçëm i kryeqendrasve i para viteve 60-të dhe i rinisur sërish të viteve 80-ta, tani ka skuadër respektuese dhe shihet si rival i denjë.

Prishtina si vendase ndaj bardhezinjve ka humbur vetëm një ndeshje, ka barazuar tre herë dhe ka triumfuar 14 herë, me golldallim +28, 38:10. Ndërsa si mysafire ka 6 fitore, 5 barazime dhe 8 humbje, me golldallim vetëm -1, 24:23.

Mesatarja e shënimit të golave është mjaft e madhe për ndeshje, 2.5 gola dhe kontributin më të madh e ka Prishtina me 1.6 gola, kurse prizrenasit nuk e arrijnë 1 gol (0.8 për ndeshje). Këtë e dëshmon më së miri se vetëm një ndeshje është mbyllur pa gola (në Prishtinë). Rezultati më i shpeshtë është 1:0 – 10 herë, Prishtina i ka 7 (si vendas 5), kurse Liria i ka 3, të gjitha vendase. Liria nuk ka fitore më të lartë se një gol epërsi, përveç një fitoreje 3:0, aq sa i ka të tilla Prishtina 2. Prishtina ka fitore të thella si 4:0, dhe ndër fitoren më të lartë në Superligë, 6:1.

Prishtina i ka fituar tre ndeshjet e fundit, në Prizren 2:1, në Mitrovicë 1:0 dhe në Kastriot 3:1, raporton faqja e FC Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat