Skuadra shqiptare, Shkëndija nga Tetova, nuk ndalet me serinë e fitoreve në Kampionatin e Maqedonisë. Kuqezinjtë në udhëtim e mundën me rezultat 2:1 Skopjen, në kuadër të javës së shtatë.
Skopje mbetet pa fjalë, nga loja jashtëzakonisht e mirë e Shkëndijes. Në minutën e 20-të, Mishevski shënoi për vendasit, por ky gëzim nuk zgjati më shumë se 19 minuta. Kuqezinjtë rrisin presionin dhe në minutën e 39-të barazojnë shifrat në 1:1 pas një aksioni të bukur dhe realizimit efektiv të Besart Ibraimit. Në minutën e 80-të, kapiteni Ferhan Hasani është hero i fitores së Shkëndijes. Skuadra tetovare udhëheq renditjen me 19 pikë apo ka 6 fitore e 1 barazim, pa humbje, duke lënë pas Akademija Pandev me 14 sosh.