Jashanica: Duhet ta fitojmë sfidën me Partizanin e Beogradit

Futboll

Jashanica: Duhet ta fitojmë sfidën me Partizanin e Beogradit

Nga: Kemajl Goca Më: 13 tetor 2017 Në ora: 18:30
Bajram Jashanica

Krenaria e shqiptarëve, FC Skënderbeu nga Korça, është në formë të mirë dhe tani për tani e ka mendjen te sfida e të dielës kundër Lushnjës, pastaj për superndeshjen e 19 tetorit (21.05), ku ndeshen me ekipin serb Partizanin nga Beogradi, në kuadër të xhiros së tretë të grupit B të Europa League në futboll. Korçarët janë të pamposhtur në Kampionatin Shqiptar, katër fitore e një barazim, kryesojnë me 13 pikë, duke lënë pas kampionin në fuqi Kukësin, që ka vetëm 10 pikë. 

‘Ujqërit e Dëborës’ synojnë fitoren e parë në grupin B në Europa League, pas humbjes në Kiev 3:1 nga Dinamo dhe barazimit (1:1) me Young Boys nga Bernë. Mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Bajram Jashanica, po kalon në një formë jashtëzakonisht të mirë dhe ka qenë kreator i fitores së Skënderbeut me rezultat 2:1 kundër Laçit. Ai në minutën e 75-të për bukuri kërceu, duke goditur me kokë topin, ku la të shtangur portierin e Laçit. Synimi i Jashanicës është që të jap atomin e fundit në çdo ndeshje dhe me skuadrën e tij t’i realizojnë synimet. Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”,  Jashanica tregon se kujt ia dedikoi golin dhe çfarë presin në përballjen me Partizanin nga Beogradi, por flet edhe për katër paraqitje si titullar në petkun e kombëtares së Kosovës.

“Bota sot”: Si ndjehesh për golin e fitores (2:1) kundër Laçit, në fakt sa ishte vështirë?

Bajram Jashanica: Normalisht goli për çdo futbollist është një bonus në vete, por e rëndësishme ishin tri pikët e fituara! Golin ia dedikoj nuses time që gjithmonë ka qëndruar pranë meje. Ndeshje e vështirë ndaj Laçit, por ne në çdo lojë hyjmë për tri pikë dhe kemi një ecuri shumë të mirë të ndeshjeve.

“Bota sot”: A mendoni se vetëm Kukësi do ta keni kundërshtar për titull?

Bajram Jashanica: Është akoma herët të folët për titull, janë vetëm xhirot e para dhe janë disa ekipe, tani normalisht që Kukësi është më afër, por janë disa ekip si Partizani,  Flamurtari e Teuta, që do të bëjnë deri në fund konkurrencë.

“Bota sot”: Në katër ndeshjet e fundit u paraqite titullar me kombëtaren e Kosovës, kundër Kroacisë, Finlandës, Ukrainës e Islandës, sa ishte vështirë dhe a mendoni se në të katërt takimet kombëtarja jonë ka qenë e pafat që të marrë pikë?

Bajram Jashanica: Kanë qenë katër ndeshje të vështira, por kemi qenë edhe të pafat! Mund të them se kemi mundur të marrim ndonjë rezultat pozitiv në këto ndeshje! Kemi treguar më shumë karakter në fushë dhe me të vendosur. Çka duhet bëjmë? Jemi duke u rritur si grup dhe besoj se në një të ardhme të afër Kosova do të ketë shumë lojëra më të mira.

“Bota sot”: Po vjen e enjtja e madhe e 19 tetorit, shqiptarët në këmbë, për faktin se në “Arena Elbasan”, Skënderbeu ballafaqohet me Partizanin e Beogradit. A shpresoni në tri pikë dhe sa keni mundur ta studioni kundërshtarin, pra ku mund të jetë më i rrezikshëm?

Bajram Jashanica: Para ndeshjes me Partizani kemi ndeshjen me Lushnjën të dielën, që duhet fituar, ndërsa saj përket Partizanit do të jetë ndeshje e veçantë, të cilën duhet ta fitojmë.

“Bota sot”: Njohësit e shohin Skënderbeun si njërën nga skuadrat që mund ta kaloi grupin në Europa League, Ju si e shihni grupin, shumë të vështirë?

Bajram Jashanica: Normalisht është grup shumë i vështirë, por jo e pamundur, duhet t’i marrim ndeshje një nga një dhe të bëjmë më të mirën. Besoj se e meritojmë të kalojmë edhe grupet, por do të jetë e vështirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat