Dortmundi ‘ngec’ sërish, Leverkusen fiton me goleadë

Futboll

Dortmundi ‘ngec’ sërish, Leverkusen fiton me goleadë

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 17:33
Auba

Bundesliga gjermane ka vijuar sot me ndeshjet e javës së 9-të të saj, ku Borusia Dortmund ka marrë sërish një rezultat që mund të konsiderohet negativ. ‘Verdhezinjtë’ nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 2-2, në transfertën ndah Eintrachtit të Frankfurtit, ndonëse ishin në avantazh të dy golave.

Për skuadrën e trajnerit Bosz shënuan Sahin në pjesën e parë dhe Philip në fillim të së dytës, por Dortmundi nuk diti të ruajë rezultatin dhe pësoi dy gola në minutat e 64’ dhe 68’, duke humbur mundësinë e marrjes së 3 pikëve. Kjo është ndalesa e dytë radhazi për Dortmundin kryesues, pas humbjes në javën e kaluar, në shtëpi ndaj Leipzigut.

Bayer Leverkusen mori një fitore të thellë, 1-5, në transfertën ndaj Borusia Munchengladbahut. Vlen të theksohet se vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh, por Leverkusen shënoi plot 5 herë në 45 minutat e dyta.

Fitore mori edhe Leipzig, që mposhti me rezultatin minimal 1-0, skuadrën e Stuttgartit, ndërsa Augsburgu i Abrashit u mposht në shtëpi nga Hannover, 1-2.

Në orën 18:30, Bayerni i Heynckesit do të luajë në transfertë ndaj Hamburgut, ku aktivizohet edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Mërgim Mavraj. Bavarezët kanë mundësinë më të mirë që të përfitojnë nga hapi fals i Dortmundit dhe të barazojnë këta të fundit në krye të renditjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat