Privatizimi i Vllaznisë, del në skenë një tjetër biznesmen

Futboll

Privatizimi i Vllaznisë, del në skenë një tjetër biznesmen

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 14:11
Vllaznia nga Shkodra

Vllaznia nga Shkodra prej kohësh ndodhet në udhëkryq  për sa i përket çështjes së pronësisë. Ekipi shkodran menaxhohet aktualisht nga Bashkia Shkodër, megjithëse opinioni sportiv në qytetin verior kërkon që ekipi të privatizohet.

Për këtë arsye kryebashkiakia e Shkodrës, Voltana Ademi tha pak kohë më parë se kanë nisur procedurat për privatizimin e ekipit, por ende asgjë konkrete nuk ka deri tani. Shkak është bërë mos gjetja e një modeli për të vlerësuar aksionet, që rezulton të jetë një problem më vete, por që ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e ekipit.

Ish President i Vllaznisë, biznesmeni i njohur shkodran, Valter Fushaj shprehu dëshirën, pak kohë më parë, që të rimerrte një pjesë të aksioneve të ekipit. Duke u nisur dhe nga situata aspak e mirë që ka kaluar klubi shkodran në fazën e parë të kampionatit, Fushaj shprehu dëshirën që të investonte për të nxjerrë ekipin nga kriza.

Dëshirës së tij i është bashkuar dhe ish zëvendëspresidenti i kuqebluve. Xhevdet Amulli ka dhënë një intervistë për mediat lokale në Shkodër, ku ka mbështetur nismën e Valter Fushaj.

“Më është bërë qejfi që Fushaj ka ambicie për të marrë Vllazninë. Në fakt, për vete kontributin e suksesshëm që ai ka dhënë në klubin ‘Vllaznia’, kandidatura e tij duhet marrë në konsideratë dhe me përparësi, jo vetëm për garancitë financiare që ofron, por edhe për atë që ai e njeh me mirë se kushdo situatën te Vllaznia.

Do të ishte më e lehtë të bëhej kthesa e kuqebluve në rezultate”, ka thënë Amulli, duke pranuar se është i gatshëm të marrë edhe ai një pjesë të aksioneve, raporton “shkodrasport”

Vllaznia e mbylli fazën e parë të kampionatit me 6 pikë duke u pozicionuar në vendin e parafundit në renditjen e Superligës. Me ecurinë e deritanishme klubi Shkodran rrezikon shumë rënien nga kategoria, nëse vijon kështu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat