Reagon djali i Ramiz Lladrovcit për situatën e fundit në KF Feronikeli

Futboll

Reagon djali i Ramiz Lladrovcit për situatën e fundit në KF Feronikeli

Nga: K.G. Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 13:07
Lapidar Lladrovci

Futbollisti i mirënjohur, Lapidar Lladrovci, ndryshe djali i kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramizit, ka reaguar për lakimin e emrit të tij në ditët të fundit në lidhje me situatën e KF feronikelit.

“Nuk ka qenë shkaktar emri im për asnjë çështje që lidhet me gjendjen aktuale të Feronikelit. Jam i detyruar të reagoj ndaj një shkrimi te disa portaleve, lidhur me emrin tim, ku thuhet se qenkam unë arsyeja e dorëheqjes së Kryesisë së Ferronikelit, kinse pasi që “nuk ma paskan vazhduar kontratën kryesia e dorëhequr”.

Kryetari i Komunës (babai im) pasi ka kërkuar llogari si donatori më i madh në klub (ne emër të taksapaguesve të Drenasit), lidhur me rezultatet e dobëta të klubit e që më pas rezultoi me dorëheqjen e Kryesisë.

Në kushte anonimiteti autori i lajmit na qenka dikush pranë kryesisë, por, sigurisht edhe i ndikuar nga ta qe t'i qes hi syve te opinionit dhe me akuza te paqena t'i mbuloj dështimet dhe shkeljet e veta.

Dua të sqaroj se unë jam larguar me vetëdëshirë nga klubi i Feronikelit në muajin janar të vitit 2016, me ç'rast i jam bashkuar FK Kukësi nga Shqipëria, ekip shumë serioz, në një ligë shumë më të fortë se kjo e Kosovës, e me kushte financiare e infrastrukturore më të mira se te ne.

Bile në atë kohe, kryesia me ngulm kërkonte qëndrimin tim në klub, pasi që gjendeshim në vendin e parë dhe si kapiten që kam qenë, isha me rëndësi të veçantë për ekipin. Te Kukësi fitova kupën e Republikës së Shqipërisë dhe mu dha mundësia që të jem pjesë e ligës së Evropës e cila ishte ëndërr e imja e kahmotshme (te jem pjese e njërës prej kupave të Evropës), por që fati nuk më përcolli me lëndimin që pësova, dhe nuk pata mundësi të aktivizohesha. Pas përvojës me Kukësin, dhe pasi e kalova lëndimin, u riktheva në Kosovë, dhe u bashkova në stërvitje me KF Besën në janar të këtij viti, histori që nuk rezultoi me marrëveshje pas disa problemeve të natyrës financiare në Pejë. Pastaj më erdhi oferta e Kryetarit të Trepçës ‘89 z. Abedin Zeka me të cilin shumë shpejtë u morëm vesh që të vazhdoj karrierën në ‘89.

Me ’89-shin u bëra kampion për herë të 2-të në Kosovë, është titulli i 8-të në karrierë dhe i 7-ti radhazi.

Në Trepça ’89, mu realizua ëndrra e madhe, mora pjese në kualifikimet e Ligës se Kampionëve, ndër të parët lojtar me origjinë nga Drenasi (nuk kam informacione që dikush tjetër ka marre pjesë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve përveç meje). Në Trepça ‘89 vazhdoj të kem kontratë deri në korrik të vitit të ardhshëm ku jam shumë i kënaqur me ambientin dhe futbollin që luajmë.

Kjo kryesi e dorëhequr për atë që ka dhënë për klubin e Feronikelit i jam mirënjohës si ish futbollist i klubit, por, mos te harrojmë se ishte kjo kryesi e cila për pak sa nuk e dërgoi në humnerë futbollin e Kosovës, duke e akuzuar e shantazhuar rëndë Federatën dhe klubin e Trepça ‘89 mbi kinse falsifikim të dokumenteve dhe licencim të pamerituar. Akuza që shumë lehtë kanë mundur ta kthejnë komplet Futbollin e Kosovës aty ku ka qenë, pra në epokën jashtë Uefa-s e Fifa-s.

Sportdashësit e dinë se në futboll nuk bëhesh kampion pa merita ose me pahir, por me djersë, mund e sakrificë.

Unë kam qenë pjesë e Feronikelit në kohëra jo aq të mira si tash, që nga Liga e Parë ku kam dhënë kontribut dhe si rezultat i grupit dhe Kryesisë së vjetër, kaluam në Superligë, ku pas 2 sezoneve fituam titullin e parë me rëndësi në histori të klubit, Kupën e Kosovës, e në vitin pasardhës fituam çdo gjë në futbollin Kosovar. Pra, në kohën time, klubi ka qenë në kulmin e tij sportiv. Por jo gjithnjë klubi ka shkuar mirë, ka pasur probleme të ndryshme ku shkaktar ka qenë kryesia.

Kjo kryesi nëse do ta kishte pasur aq për zemër klubin, nuk do të mundohej ta shkatërroj klubin por do t'i qëndronte pranë edhe pa pozita në klub e pa beneficione por siç po shihet paska qenë dashuri me kushte.

Klubi nuk është pronë e disa personave, por është pronë e gjithë qytetarëve të komunës së Drenasit, dhe gjithnjë do të ketë njerëz që e duan sportin dhe që janë të gatshëm ta japin mundin dhe pasurinë e tyre për klubin e zemrës. T'ia lëmë kohës se kush ka të drejtë e kush jo!”, shkruan Lladrovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat