Bardhezinjtë duan kreun

Futboll

Bardhezinjtë duan kreun

Më: 26 janar 2018 Në ora: 15:03
Lojtarët e Juventusit

Juventus do të kthehet në fushë mbrëmjen e së shtunës me synimin për të marrë kreun e Serisë A dhe të shtojë presionin ndaj Napoli-t, që do të luajë një ditë më mbrapa në shtëpi kundër Bologna-s. Bardhezinjtë do të luajnë në “Bentegodi” kundër Chievo-s, një skuadër që ka marrë pesë humbje dhe dy barazime në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit italian. Për më tepër, kampionët në fuqi të Italisë kanë fituar pesë ndeshjet e fundit të kampionatit që kanë luajtur në fushën e Chievo-s dhe, për rrjedhojë, nuk duhet ta kenë të vështirë të marrin fitoren e radhës në Serinë A.

Skuadra e Massimiliano Allegri-t, që mban vendin e dytë në kampionat me 53 pikë, një më pak se Napoli, ka fituar pesë ndeshjet e fundit të Serisë A dhe nuk humbet në kampionat që nga 19 nëntori i kaluar. Vendasit, nga ana tjetër, mbajnë vendin e 13-të në renditje dhe do të paraqiten në këtë sfidë pas humbjes së rëndë 5-1 të pësuar në javën e fundit kundër Lazio-s. I vetmi problem për Juventus është mungesa e golave të Higuain, me sulmuesin argjentinas që nuk ka shënuar në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionat (618 minuta), që është edhe ecuria e tij më e gjatë pa gol që nga tetori i 2014-ës, kur luante me Real Madrid.

Shifra dhe Fakte
– Juventus ka fituar 10 nga 11 ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Chievo-s në të gjitha kompeticionet dhe nuk ka pësuar gol në 7 nga 8 ndeshjet e fundit që ka luajtur në Serinë A.
– Juventus nuk ka pësuar gol në në 5 nga 7 ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Chievo-s në të gjitha kompeticionet dhe ka shënuar të paktën 2 gola në 4 takimet e fundit të luajtura kundër ekipit veronez.
– Chievo nuk ka arritur të marrë asnjë fitore në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat