Tota: Futbolli femëror mbështetet shumë pak nga FFK

Futboll

Tota: Futbolli femëror mbështetet shumë pak nga FFK

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:33
Rabie Tota

Futbolli femëror në Kosovë po kalon periudhë shumë të vështirë dhe shumica e skuadrave mezi mbijetojnë.  Rasti më i freskët është i kampiones në fuqi Hajvalia, e cila pasi u tërhoq nga garat për shkak të vështirësive financiare, ditë më parë vendosi sërish që të rikthehet fal Rrahim Pacollit. Prandaj, me Hajvalinë liga do të jetë më e pasur si dhe lufta për titull më interesante. Megjithatë, nga radhët e Hajvalisë është larguar  mbrojtësja më e mirë, Rabie Tota, e cila u rikthye në Shqipëri. Tota tha se shumë shpejt do të vendosë për karrierën e saj, por në anën tjetër ka folur edhe për futbollin e Kosovës. Sipas saj, futbolli femëror shumë pak mbështetet nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ajo kërkon gjinisë më të bukur femërore, t’i kushtohet më shumë rëndësi. 

“Bota sot”: Pas një periudhe në Kosovë, vendosët që të ktheheni në Shqipëri, cilat janë arsyet?

Rabie Tota: Sepse për mua por edhe për familjen time, parësore për momentin është që të përfundoj Fakultetin me sukses. Aktualisht, jam në vitin e fundit të Masterit. Gjithashtu edhe disa obligime të tjera që më detyruan që të qëndroj në Shqipëri.

“Bota sot”: Një periudhë në radhët e kampiones Hajvalia, ishte përvojë e mirë?

Rabie Tota: Ishte një eksperiencë relativisht e mirë, më shumë do të veçoja pjesëmarrjen në Champions League dhe gjithashtu krijova disa miqësi të mira.

“Bota sot”: Çfarë përshtypje iu la futbolli në Kosovë, ka investime, ka rritje të cilësisë?

Rabie Tota:  Kosova ka shumë talente dhe kjo është e vërtetuar nga të gjithë. Kjo duhet të shërbejë si motiv dhe si shtysë për të krijuar kushte më të mira për ekipet respektive dhe për futbollistët. Duhen më shumë investime në infrastrukturë dhe një menaxhim sa më i mirë i këtyre burimeve.

“Bota sot”: Çfarë iu pengoi apo iu la përshtypje për të keq?

Rabie Tota: Nuk mund të them që më la një përshtypje të keqe sepse askush nuk dëshiron të mbetet në vend numëro. Por siç ju thashë duhet shumë punë, shumë investim, një menaxhim i mirë dhe të luajnë ato që vërtet e meritojnë të jenë në fushën e blertë.

Image

“Bota sot”: A ishit e kënaqur me pagesat?

Rabie Tota: Në Shqipëri dhe Kosovë kurrsesi futbolli i femrave nuk është në nivelin e duhur, për sa i përket pagesave, por le te themi që diçka marrim. Uroj që në të ardhmen kjo të ndryshojë për shumë më shumë.

“Bota sot”: A më mirë paguhet në Shqipëri apo në Kosovë?

Rabie Tota: Pagesat janë pothuajse të njëjta, por e keqja është se vetëm disa ekipe kryesore paguajnë me rroga mujore. Por futbolli në Shqipëri mbështetet shumë nga Federata. Në Kosovë mbështetet shumë pak.

“Bota sot”: A më shumë respektohen futbollistet në Kosovë apo në Shqipëri, dhe a do të kthehesh sërish?

Rabie Tota: Kudo ku kam qenë kisha respektin nga çdokush dhe sigurisht kam lënë një përshtypje të mirë. Respekti është reciprok dhe duhet ta fitosh atë. Nuk e di, kësmet Zotit do të dëshiroja një eksperiencë jashtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat