Morina: Nuk ka ndonjë ekip që po i çon duart

Futboll

Morina: Nuk ka ndonjë ekip që po i çon duart

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 17:34
Arbnor Morina

Lufta për titull po bëhet gjithnjë e më ashpër mes skuadrave të elitës së futbollit të Kosovës. Lideri Drita nga Gjilani nuk është më shumë se katër pikë larg skuadrës që renditet në vend të pestë, siç është Gjilani. Më shumë se gjysma e skuadrave janë në garë për titull, por edhe një numër i madh prej tyre rrezikojnë të bien në zonën e rrezikut, në barazh. 

Kryetrajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, është shumë i qetë sidomos pas fitores në kryendeshjen e javës, ku mundën me rezultat 1:0 Lirinë nga Prizreni, fal golit të Armend Thaçit në minutën e fundit. Morina si gjithnjë i matur dhe nuk e ka presionin se duhet me çdo kusht të luftojnë për titull, por për të primare është të mbledhin sa më shumë pikë dhe të dhurojnë lojë të bukur që t’i kënaqin edhe tifozët me të zjarrtë siç janë “Skifterat’.

“Bota sot”: Fitore e zorshme e Gjilanit kundër Lirisë, por shumë e vlefshme. Një hap drejt kreut?

Arbnor Morina: E zorshme se nuk i shfrytëzuam rastet tona, goditem shtyllën në pjesën e parë, ndërsa Liria pati rast të mirë në pjesën e dytë kur doli vetëm me portier, por nuk e realizoi. Si i kemi humbur pikët në fund të ndeshjes në pjesën e parë të kampionatit, ashtu edhe i kthejmë në pjesën e dytë të kampionatit. Djemtë po luajnë me vetëmohim deri në momentin e fundit, edhe përgatitja psikike dhe fizike është në nivelin e lart.

“Bota sot”: Katër pikë jeni larg liderit të kampionatit, Dritës, jeni kandidat për titull?

Arbnor Morina: Kemi thënë prej fillimit të kampionatit, se do të ia bëjmë hyzmetin deri ne fund, ta shohim në fund se ku jemi. Nuk i kemi dhënë vetës detyrën që me çdo kusht të bëhemi kampion, janë të gjitha ekipet me aspirata e tyre dhe ato ekipe që janë më lartë kanë treguar stabilitet më shumë se ne dhe deri në fund do të jetë një kampionat interesant.

“Bota sot”: Cilat skuadra janë në luftë për titull?

Arbnor Morina: Nuk ka ndonjë ekip që po i çon duart, të gjitha po e dëshmojnë veten si ekipet të mira dhe të kompletuara. Secila i ka planet dhe synimet e saja.

“Bota sot”: A është Gjilani në presion sepse sa është afër kreut aq edhe larg zonës së barazhit?

Arbnor Morina: Kurrfarë presioni nuk ka dhe as që ka pasur. Punohet shumë qetë dhe me planin që kemi paraparë. Të tjerët janë më shumë në presion se sa ne në luftë për titull po ashtu edhe për ekzistencë. Kryesia e klubit ka instaluar një frymë pozitive dhe gjërat po shkojnë mirë.

“Bota sot”: Gjilani katër pikë afër liderit dhe gjashtë larg nga skuadra e Vëllaznimit, që mban pozitën e nëntë, vend që shpie në barazh!

Arbnor Morina:  Katër pikë deri te vendi i parë nuk janë shumë, as gjashtë nga pozita e nëntë. Gjithkush i ka aspiratat e veta dhe shikon mi realizuar ato. Gjilani është shumë mirë dhe stabil, ajo që na mungon e realizojmë përpara, gjatë punës. Synimet tona i kemi shumë të qarta me kryetarin dhe drejtorin e klubit dhe asaj rruge po shkojmë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat