Nga qetësia e Skënderbeut në renditje mund të fitojë mbi të gjitha spektakli

Futboll

Nga qetësia e Skënderbeut në renditje mund të fitojë mbi të gjitha spektakli

Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 19:11
Pamje nga një ndeshje

Një vit më parë, në fazën e tretë të kampionatit, Skënderbeu përballej me Kukësin me qëllimin për të mundur verilindorët dhe për t’i zbritur nga kreu i renditjes. Ndeshja në Korçë u mbyll në barazim, ndërsa në fazën e fundit në një finale të drejtpërdrejtë shpërthyen polemikat ndaj gjykimit. Këtë të mërkurë, Skënderbeu do të luajë sërish në Kukës, por këtë herë pa presionin e rezultatit, i cili, në fakt, më tepër peshon te Kukësi. Korçarët janë bindshëm kryesues të Superiores dhe 13 pikë të shkëputur nga Flamurtari dhe këtë herë vizita e tyre në Kukës do të jetë më tepër një çështje prestigji për t’i marrë fitoren e 3-të verilindorëve në këtë sezon, pasi i kanë mundur në dy fazat e para me rezultatin 2:1.

Si rrallë herë përpara një ndeshjeje me Kukësin, Skënderbeu e gjen veten te qetë dhe me një +14 mbi kundërshtarin në renditje, që mund t’i japë pjekurinë e nevojshme për ta luajtur këtë ndeshje sipas ritmit të tij, pa presionin e një fitoreje që duhet të vijë detyrimisht, por dhe pa karikimin e tepruar që kryesisht ka dhuruar gjithmonë një duel që është konsideruar si një finale e kampionatit. Nga qetësia e Skënderbeut në renditje mund të fitojë mbi të gjitha spektakli, pasi dhe për Kukësin kjo ndeshje, përtej kënaqësisë së fitores, nuk e ka tensionin e një dueli për titull. Dhe kur skuadrat janë të çliruara nga mendimet e tepërta përfitojnë kryesisht këmbët, që janë më të zhndërvjellta për të na dhuruar një duel, që mund të jetë një kartolinë e kampionatit dhe pse larg rivalitetit të zakonshëm për marrjen e 3 pikëve me detyrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat