Ndërsa Mauro Icardi përgatitet për derbin e Madonninës me Milanin, që do të luhet të dielën, nga Argjentina vijnë lajme jo shumë të këndshme që kanë të bëjnë me Botërorin e Rusisë së këtij viti.
Sipas “Fox Sports”, sulmuesi i skuadrës së Interit me shumë gjasa nuk do të jetë në ngjarjen më të rëndësishme futbollistike.
Gjithnjë sipas “Fox Sports”, trajneri i nënkampionëve të botës, Jorge Sampaoli tashmë e ka marrë vendimin e tij për të lënë jashtë Kupës së Botës Mauro Icardin dhe dy janë arsyet. E para ka të bëjë me rendimentin e Icardit me fanelën e Argjentinës, të cilin Sampaoli e ka vlerësuar me nota negative.
Arsyeja e dytë që ka ndikuar edhe më shumë në vendimin e trajnerit të bardhekaltërve lidhet me raportet aspak miqësore që Icardi ka me disa prej lojtarëve të tjerë të Argjentinës.