Ja biografia e përzgjedhësit të Kosovës

Futboll

Ja biografia e përzgjedhësit të Kosovës

Më: 2 mars 2018 Në ora: 14:02

Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Bernard Challandes, ka lindur më 26 korrik të vitit 1951 në Le Locle të Zvicrës. Ai e nisi karrierën në klubin e qytetit të lindjes si 17-vjeçar, derisa më pas për shkak të studimeve u transferua në skuadrën Urania Geneve Sport ku luajti për dy edicione, për t’u rikthyer sërish më pas në klubin e tij të zemrës. Në vitin 1976 ai u huazua në Ligën e Parë te skuadra La Chaux-de-Fonds dhe më pas luajti edhe te FC Boudry dhe FC Saint-Imier. Pikërisht në klubin Saint-Imier e nisi edhe zejen e trajnerit në vitin 1978 ku qëndroi deri në vitin 1982. Më pas për disa edicione e drejtoi skuadrën e tij të zemrës, Le Locle. Për dy vite udhëhoqi skuadrën La Chaux-de-Fonds, kurse nga viti 1987 e deri më 1994 drejtoi skuadrën tjetër zvicerane, Yverdon Sports. Më pas nga një edicion udhëhoqi skuadrat elitare zvicerane, Young Boys dhe Servette. Nga viti 2001 deri në vitin 2007 e udhëhoqi Kombëtaren U-21 të Zvicrës, kurse më herët ishte dhe përzgjedhës i grupmoshave U-17 e U-18, derisa suksesin më të madh e arriti me skuadrën Zurich, me të cilën arriti ta fitojë titullin e kampionit në edicionin 2008/09, derisa në vitin 2011 e fitoi Kupën e Zvicrës me Sionin. Challendes më pas udhëhoqi edhe skuadrat tjera zvicerane Neuchatel Xamax, Thun dhe Young Boys, para se të marrë drejtimin e Kombëtares së Armenisë në shkurt të vitit 2014, e ku dha dorëheqje në mars të vitit 2015 pasi nuk arriti ta kualifikojë këtë kombëtare në Euro 2016. Që nga viti 2015 e deri më tash ai e ka kryer funksionin e skautit në skuadrën kampione të Zvicrës, Bazel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat