Lazio-Juventus, “Zonja” ka fituar 4 të fundit në “Olimpico”

Futboll

Lazio-Juventus, “Zonja” ka fituar 4 të fundit në “Olimpico”

Më: 3 mars 2018 Në ora: 11:28
Lazio-Juventus

Lazio do të synojë të bëhet skuadra e parë që fiton të ndeshjet kundër Juventus në këtë sezon të Serisë A kur të presë bardhezinjtë në “Olimpico” pasditen e së shtunës. Kjo sfidë do të jetë akti i parë i dy përballjeve të rëndësishme që do të zhvillohen këtë të shtunë në kampionatin italian, me Napoli-Roma që do të zbresin në fushë në mbrëmje.

Bardhekaltrit kanë fituar 2-1 kundër Juventus në fazën e parë falë dy golave të Ciro Immobile dhe u bë skuadra e parë, pas Udinese në gushtin e 2015-ës, që ka mposhtur skuadrën e Massimiliano Allegri në shtëpi, në një ndeshje të Serisë A.

Gjithashtu, skuadra e Simone Inzaghi-t e ka nisur këtë sezon me fitoren 3-2 të marrë pikërisht kundër bardhezinjve në Superkupën e Italisë dhe sot do të kërkojnë të tretën radhazi. Vendasit do të vijnë në këtë takim shumë të rëndësishëm pas eliminimit të pësuar në Kupën e Italisë kundër Milan, me kuqezinjtë që kanë kaluar në finale pas gjuajtjes së penalltive. Kështu, kjo përballje kundër “Zonjës” nuk mund të vinte në një moment më të keq sepse 120 minutat lojë kundër Milan do të ndikojnë te forma e bardhekaltërve.

Por edhe Juventus ka luajtur në mesjavë dhe ka marrë një fitore 1-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë që është luajtur në Torino kundër Atalanta-s. Një rezultat ky që ka dërguar bardhezinjtë në finale. Juventus do të kërkojë të mbajë nën presion Napoli-n, që ka një avantazh prej katër pikësh tashmë pas shtyrjes së ndeshjes së kampionatit që torinezët duhej të luanin me Atalanta-n fundjavën e kaluar.

Ndryshe nga napolitanët, të cilët janë të përqendruar vetëm te lufta për titull, bardhezinjtë janë në garë në çdo kompeticion dhe të mërkurën e ardhshme do të ketë një sfidë shumë të rëndësishme në Champions League kundër Tottenham.

Shifra dhe Fakte 
– Juventus ka fituar 8 ndeshjet e fundit të kampionatit dhe 4 transfertat e fundit kundër Lazio-s në të gjitha kompeticionet.
– Në 3 nga 5 ndeshjet e fundit të luajtura mes këtyre dy ekipeve në “Olimpico” janë realizuar më pak se 2.5 gola për takim.
– Juventus nuk ka pësuar gol në gjashtë ndeshjet e fundit që ka luajtur në kampionatin italian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat