Di Biagio: Nuk mund të krahasohemi me Brazilin, apo Argjentinën

Futboll

Di Biagio: Nuk mund të krahasohemi me Brazilin, apo Argjentinën

Më: 24 mars 2018 Në ora: 16:48
Di Biagio

E vërteta lëndon, por kjo duhet për një arsye: reflekton realitetin. Italianët pritën një fitore të madhe kundër Argjentinës, një nga favoritet për të fituar Kupën e Botës së kësaj vere, si për të thënë se ndoshta e kishin harruar eliminimin e ‘kombëtares së tyre nga turneu rus. Për trajnerin e përkohshëm, Di Biagio, Italia është një ekip në ndërtim e sipër, larg nga të rilindurit. Dhe kështu, kundër Argjentinës, fituese edhe pa “shoferin” Messi, e pamë Italinë e vitit 2017, me pak ide, joreaktive dhe ende e kapluar nga zhgënjimi i së kaluarës. Me disa përjashtime, shih Chiesa dhe Cutrone, është i njëjti ekip. Pra, është e pamundur të kërkohet një revolucion i papritur. “E vlerësoj faktin që djemtë janë përpjekur, kemi luajtur kundër nënkampionëve të botës... – tha trajneri italian, Gigi Di Biagio, pas disfatës 2-0 kundër Argjentinës. – Kemi luajtur mirë në pjesën e dytë, kur ne meritonim diçka më shumë. Rezultati është i ashpër”.

Di Biagio po duartroket e lojën e të tijve, por kjo nuk mund ta ndihmojë për të nxjerrë në pah gabimet: “Ne vuajtëm driblimin e lojtarëve të Argjentinës dhe kemi gabuar shumë në ndërtim e sipër. Është e qartë se duhet të punojmë, por sigurisht, nuk do të na fusë në depresion kjo humbje. Po nis një epokë e re. Do të isha më i kënaqur me një humbje 1-0, pa u përpjekur ta barazoj atë”. Në fazat e ardhshme, në miqësoren e radhës, deri në Ligën e Kombeve, e planifikuar të nisë në shtator, kombëtarja italiane do të përpiqet për t’i ndryshuar gjërat dhe për t’u përmirësuar: “Na duhet të kuptojmë dinamikën, të përshpejtojmë operacionin. Për shumë djem, miqësorja me Argjentinën ka qenë eksperienca e parë, të tjerët shumë pak. Ne jemi në një moment të veçantë të sezonit, gjithashtu duhet të vlerësojmë individin. Ne nuk mund të krahasohemi me Brazilin apo Argjentinën”.

Gjendja fizike e Verratit shqetëson për ndeshjen e ardhshme kundër Anglisë: “Ne do të duhet ta vlerësojmë atë në ditët e ardhshme”. Kundër Anglisë, një tjetër ndeshje sfiduese, Di Biagio mund të ndryshojë shumë nga formacioni i parë me Argjentinën. Pritet të bëjë eksperimente, për të kuptuar se çfarë grupi do të ketë në funksion të angazhimeve zyrtare. Për të nisur, pa nxitim të nxituar, rilindjen blu…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat