Broja: Ndeshjen kundër Gjermanisë s’do ta harrojë kurrë!

Futboll

Broja: Ndeshjen kundër Gjermanisë s’do ta harrojë kurrë!

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 28 mars 2018 Në ora: 15:15
Rron Broja

Kombëtarja e Kosovës U-21  ka marrë një pikë historike kundër U-21 të Gjermanisë, në takimin e vlefshëm eliminator për Kampionatin Evropian, luajtur të martën në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Djemtë e trajnerit Rafet Prekazi luajtën 0-0 me kampionin europian dhe lideren e grupit, Gjermaninë.

Futbollisti i kombëtares U-21 dhe i Shkupit, Rron Broja rrëfen për emocionet nga kjo ndeshje interesante.

“Një ndjenjë shumë e veçantë që nuk do ta harrojë kurrë.  Ishte një ndeshje e vështirë, një Gjermani shumë e fortë, mirëpo ne besuam në rezultat pozitiv dhe me shumë pune e mund e arritëm këtë”, tha Broja. Mesfushor i FC Shkupi tregon përse ishte vështirë të luash ndaj Gjermanisë. “Ishte shumë e vështirë, sepse gjithë lojtarët luajnë në nivele shumë të larta. Janë edhe kampion të Europës dhe lider në grupin tonë”, shtoi ai.

Broja thekson se nga kjo ndeshje kanë fituar përvojë të madhe.

“Nga sfida të tilla si me Gjermaninë mund të fitosh përvojë shumë të madhe, e cila do të më ndihmojë për të ardhmen e karrierës sime”, përfundoi Broja, i cili të premten do t’i bashkohet skuadrës së tij Shkupi për ndeshjen kampionale kundër Renovës në Tetovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat