Barça luan për rekordin 38-vjeçar kundër Legane-s

Futboll

Barça luan për rekordin 38-vjeçar kundër Legane-s

Më: 7 prill 2018 Në ora: 07:52
Barcelona dhe Sevilla

Barcelona, e pamposhtur në këtë sezon të La Liga-s, do të presë mbrëmjen e së shtunës Leganes, ndeshje e vlefshme për javën e 31-të të kampionatit spanjoll. Javën e kaluar dukej se katalanasit do të pësonin humbjen e parë të sezonit, teksa ishin në disavantazh 2-0 në minutat e fundit të ndeshjes së luajtur në “Sanchez Pizjuan” kundër Sevilla-s, por golat e Suarez dhe Messi kanë shpëtuar ekipin e Valverde.

Katalansit vijnë në këtë ndeshje pas fitores bindëse 4-1 të marrë në mesjavë kundër Roma-s, në çerekfinalet e Champions League. Ndërkohë, me 21 fitore dhe 2 barazime në 23 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi nga Barça, duket shumë e vështirë që Leganes të marrë një rezultat pozitiv në “Camp Nou”. Për më tepër, miqtë kanë humbur katër ndeshjet e fundit që kanë luajtur në transfertë në të gjitha kompeticionet dhe nuk kanë arritur të shënojnë asnjë gol në këto takime.

Ata kanë fituar vetëm 2 nga 12 takimet e fundit që kanë luajtur në të gjitha kompeticionet dhe kanë rënë në vendin e 14-të të kampionatit. E vetmja pyetje për këtë ndeshje është se me sa gola diferencë do të fitojë Barcelona. Leganes janë skuadra e tretë më e keqe e La Liga-s për golat e shënuar dhe nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës në 60% të transfertave të këtij kampionatit.

Shifra dhe Fakte
– Barcelona ka fituar 3 takimet e fundit kundër Leganes, duke shënuar 10 gola në total.

– Katalanasit nuk kanë pësuar asnjë humbje në 37 ndeshjet e fundit që kanë luajtur në La Liga (30 fitore, 7 barazime), vetëm një më pak se rekordi i vendosur nga Real Sociedad mes 1979-ës dhe 1980-ës (21 fitore, 17 barazime).

– Leganes nuk ka fituar asnjë nga 11 transfertat e fundit të kampionatit (3 barazime, 8 humbje) dhe nuk ka shënuar gol në 8 prej tyre.
– Leo Messi ka shënuar 26 gola në këtë sezon të La Liga-s, më shumë se gjithë skuadra e Leganes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat