Peposhi: Synimi ynë, finalja e Kupës

Futboll

Peposhi: Synimi ynë, finalja e Kupës

Nga: K.Goca Më: 16 prill 2018 Në ora: 16:02
Peposhi e Geci

Drenica nga Skenderaj nuk e ka presionin e barazhit, por të Kupës së Kosovës. Skenderajasit synojnë finalen e madhe të Digitalb Kupës së Kosovës, ku besojnë e shpresojnë se do ta kalojnë të ashtuquajturën pengesë Vëllaznimi nga Gjakova. Sfida e parë në Skenderaj kishte përfunduar me rezultat 1:1, ndërsa ajo e kthimit luhet (pasnesër 15.00, e mërkurë) në Gjakovë, në të cilën pritet lojë e fortë e me rivalitet, pasi që si njëra palë po ashtu edhe tjetra mëtojnë finalen e madhe. Futbollisti i Drenicës, Denis Peposhi, tha se janë të përgatitur në çdo pikëpamje për secilën sfidë.  Ai të shtunën që e lamë pas realizoi dy gola për Drenicën në fitoren me rezultat 2:0 në ballafaqim me Flamurtarin e Prishtinës, në kuadër të javës së 27-të të elitës së futbollit të Kosovës. “Nuk e mendojmë barazhin, por synimi është finalja e Kupës”, tha Peposhi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A mendoni se Drenica është shumë afër finales, ku e sheh përparësinë? “Po e përgatisim ndeshjen mirë, besoj se do të ia dalim e të shkojmë në finale”, përgjigjet futbollisti. Sipas tij, ndeshja në Gjakovë përball Vëllaznimit do të jetë e hapur sa i përket rezultatit: “Ndeshja është e hapur, ne jemi të bindur te forca e ekipit tonë”. A i duhet më shumë përkrahje nga shikuesit Drenicës? “Normalisht se kemi nevojë për përkrahjen e tifozerisë tonë të cilët na kanë mbështet në të gjitha ndeshjet sepse me ta jemi edhe më të fortë. Kështu që i ftojmë të gjithë tifozët që të jenë sa më shumë në Gjakovë”, ka thënë ai.  Peposhi premton angazhim të madh deri në pikën e fundit për ekipin e tij dhe beson e shpreson se do të jenë në finale e madhe, përkundër që e ka të qartë se do të jetë shumë vështirë në Gjakovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat