“Perlë” e Gurit, Kukësi i shtyn festën e titullit Skënderbeut - Bota Sot
“Perlë” e Gurit, Kukësi i shtyn festën e titullit Skënderbeut

Futboll

E mërkurë, 21 nëntor 2018

“Perlë” e Gurit, Kukësi i shtyn festën e titullit Skënderbeut

Më: 30 prill 2018 Në ora: 06:52
Kukësi

Kukësi e mban fjalën dhe i shtyn festën e titullit Skënderbeut. Korçarët nuk ja dolën të realizonin me sukses misionin hakmarrje për të shkurorëzuar verilindorët në përballjen direkte. Supersfida e javës së 31-të të Superiores që u zhvillua në Korçë përfundoi me suksesin 1-0 të Kukësit falë një supergoli të njeriut të momentit te blutë, sulmuesit Sindrit Guri.

Kryegolashënuesi i kampionatit ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte në minutën e 78-të, duke mposhtur Shehin dhe duke lënë të shtangur të gjithë tifozët korçarë që kishin mbushur stadiumin pasi ishin përgatitur për festën e titullit.

Ky ishte goli i 16-të sezonal për Sindrit Gurin në kampionat, 2 më shumë se bomberi i Skënderbeut Ali Sowe që e ndjek nga pas. Sfida nisi më mirë për vendasit por në minutën e 12-të, Kukësi pretendoi për 11-metërsh pas një kontakti të Gurit me Alitin brenda zone.

Kryesori Hamiti e cilësoi si të rregullt aksionin por pamjet e përsëritura tregonin qartë që mbrojtësi i Skënderbeut nuk kishte prekur topin. Në minutën e 26-të Frashëri shpëtoi miqtë pasi ndali në mënyrë të shkëlqyer tentativën e Vangjelit, ndërsa në të 40-ën Sowe i lirë në zonë gaboi në goditje.

Pjesa e dytë nisi me Skënderbeun më kërkues skuadra e Dajës nuk kishte saktësinë e duhur në finalizim, me Gurin që realizoi një tjetër gol spektakolar pas atij ndaj Partizanit për t’i dhënë fitoren skuadrës së Pacult. Vetëm 2 minuta më pas fati nuk ishte me verilindorët pasi goditja e Ethemit nga jashtë zone, u ndal nga shtylla.

Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më në stadiumin Skënderbeu të Korçës, me Kukësin që mori një fitore të rëndësishme duke blinduar vendin e dytë dhe duke i shtyrë festën korçarëve me të paktën 1 javë edhe pse tashmë diferenca mes tyre në renditje është 11 pikë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test