Korenica: Shkëmbi një prej më të mirëve, i kontriboi futbollit vendor

Futboll

Korenica: Shkëmbi një prej më të mirëve, i kontriboi futbollit vendor

Më: 20 maj 2018 Në ora: 11:30
Meriton Korenica

Kapiteni i Lirisë, Meriton Korenica, ka vlerësuar lart trajnerin Bledi Shkëmbi për kontributin jo vetëm në klubin prizrenas, por edhe në futbollin vendor.

Liria ishte në një luftë të paparecedentë për titull në mes të sezonit, kur një grup i lojtarve i udhëhequr nga Bledi Shkëmbi ishte në rrugë të mirë për të befasuar, para se një rënie e konsiderueshme në rezultate të vinte në fund të sezonit.

Madje Shkëmbi dha në një pikë dorëheqje për shkak të disa problemeve financiare dhe në pamundësi për të vazhduar luftën për titull, por dëshira e lojtarëve dhe e kryesisë bënë që ai të vazhdonte deri në fund të sezonit.

Dhe, një prej lojtarëve që shfaqi performanca mjaft të mira nën drejtimin e tij, Meriton Korenica, kishte vetëm fjalë të mira për Shkëmbin pasi ai konfirmoi zyrtarisht largimin nga klubi prizrenas.

“Është një lajm që natyrisht nuk prek vetëm futbollin në Prizren, por gjithë futbollin kosovar. Ai është një prej më të mirëve. E falënderoj për gjithë atë që ka bërë për Lirinë dhe për ne lojtarët. I dëshiroj shumë suksese në të ardhmen”, theksoi Korenica.

I pyetur nëse e ardhmja e tij lidhet me të ardhmen e Shkëmbit, kapiteni aktual i Lirisë refuzoi të japë ndonjë aludim.

“Ishte një sezon i mirë në aspektin e ekipit, ku kemi mundur të përfundojmë me rezultate pak më të mira. Tash ka kohë për të menduar. Të shohim, deri tash kam qenë i fokusuar vetëm në ndeshjet që kemi zhvilluar”, potencoi ai.

Sot zhvillohet edhe ndeshja finale për titull të kampionit të Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, ku kryeqytetasve u duhet një fitore me dy gola epërsi për t’u shpallur kampion. Korenica, i cili u përball me të dyja skuadrat në dy ndeshjet e fundit, vlerësoi formën e të dyja skuadrave.

“Natyrisht se të gjithë do ta shikojmë këtë ndeshje. Të dy janë skuadra të forta dhe kanë mentalitet fitues. Është një ndeshje e madhe, prej të cilës mbi të gjitha fiton futbolli kosovar”, përfundoi ai.

Mesfushori që shfaqi paraqitje të shkëlqyera me kombëtaren U-21 kërkohet nga një numër i skuadrave të mëdha në vend dhe rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat