Zeneli e Zhegrova spektakolarë, Kosova hesht Shqipërinë e Panuccit!

Futboll

Zeneli e Zhegrova spektakolarë, Kosova hesht Shqipërinë e Panuccit!

Nga: Kemajl Goca Më: 29 maj 2018 Në ora: 20:31
Foto nga ndeshja në Zurich.

(E plotësuar) - Sulmuesit Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova treguan klasin e tyre, me një fjalë ishin spektakolarë në fitoren e kombëtares së Kosovës me rezultat 3:0 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen miqësore që u luajt në stadiumin "Letzigrund" në Zurich të Zvicrës. Djelmoshat e Kosovës në çdo aspekt ishin më të mirë sidomos më agresivë në vijën e sulmit. Rreth 20 mijë shikues u kënaqën me lojën e djelmoshave të Kosovës, ndërsa Shqipëria zhgënjeu.  

Numër i madh i tifozëve të veshur me ngjyrën kuq e zi, me brohoritjet e tyre, besa, besë, Kosova, Kosova, Shqipëria, Shqipëria, krijuan atmosferë madhështore.  Në minutën e 14-të, Milot Rashica për bukuri harkoi në 16-sh, por Vedat Muriqi nuk ishte i shkathët dhe rasti shkoi në pakthim.

Pas një minute (15') Frederik Veseli bëri gabim trashanik, duke ia dhuruar topin sulmuesit Donis Avdijaj, i cili doli i vetmuar dhe godet me të djathtën e tij rrafsh me tokën, por nuk mposhtet portieri Etrit Berisha i Shqipërisë. Në minutën e 21-të, Besar Halimi jashtëzakonisht i zgjuar, ka vërejtur mbrojtjen e përgjumur të kombëtares shqiptare,  duke shërbyer Arbër Zenelin, i cili i vetmuar nga rreth 10-11 metra me goditje të saktë e të fortë shënoi për 0:1. Avdijaj ishte në pozitë shumë të mirë brenda 16-shit, por e tepron sepse as nuk pasoi dhe as nuk gjuajti në portë e Shqipërisë pikërisht në minutën e 39-të.

Në fund të pjesës së parë,  Mërgim Vojvoda kërcënoi portën e Shqipërisë, pasi që harkimi i tij gati sa befasoi portierin Berisha.  Kështu që, në 45 minutat e parë të takimit Kosova ishte më kërkuese, më kërcënuese, ndërsa sulmuesit e Shqipërisë nuk ishin në ritmin e duhur.  Në minutën e 51-të, sulmuesi Arbër Zeneli me një depërtim mjeshtëror,  nga rreth 15 metra me goditje të fortë në të djathtën e la të shtangur portierin Etrit Berisha, 0:2.  

Kosova gati trefishoi epërsinë në minutën e 66-të. Talenti i madh Edon Zhegrova me të majtën e tij gati sa shënoi por portieri Etrit Berisha me vetëmohim shpëtoi portën e tij.
Në minutën e 67-të, Edon Zhegrova apo një Messi i ri që po vjen,  nga rreth 20 metra dërgoi një goditje mjeshtërore e befasuese për Berishën, duke thelluar fitoren  në 0:3. Zeneli pati rast ideal, por Etrit Berisha shpëtoi Shqipërinë pikërisht në minutën e 74-të. Në minutën e fundit, Taipi me një goditje nga rreth 16 metra goditi shtyllën pingule të Shqipërisë.

Image

Fitore e thellë e Kosovës dhe në fakt heshti Shqipërinë e Panuccit. Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, aplikojë lojë të disiplinuar sidomos me një mbrojtje të fortë dhe me sulme të shpejta, që disa herë e prunë në sprovë mbrojtjen e Shqipërisë. Christian Panucci, përzgjedhës i Shqipërisë, mbetet i befasuar me lojën e mençuar të rivalit dhe i dëshpëtuar me lojtarët e tij. 

Shqipëria-Kosova 0:3
Stadiumi "Letzigrund", Zurich.
Shikues: 20.000.
Shënues: Zeneli (21' e 51'), Zhegrova (67').
Kartonat e verdhë: Roshi, Lika - Ujkani, Krasniqi.
Shqipëria: Berisha, Hysaj, Veseli, Lika, Ndoji, Ramadani, Qaka, Roshi, Guri dhe Cikalleshi. Luajtën edhe Manaj, Lilaj, Abazaj, Balaj, Mavraj.
Kosova: Ujkani, Aliti, Ismajli, Rrahmani, Vojvoda, Shala, Halimi, Zeneli, Avdijaj, Rashica dhe Muriqi.  Luajtën edhe Nuhiu, Zhegrova, Taipi,  Krasniqi, Ber. Berisha, Përdedaj.

Në minutën e fundit, Taipi me një goditje nga rreth 16 metra goditi shtyllën pingule të Shqipërisë. 

87' Lojë e jashtëzakonshme e Kosovës, largohet Arbër Zeneli.

82' Po vije fundi i takimit dhe Kosova shumë afër fitores së thellë.

74' Zeneli rast ideal, por Etrit Berisha shpëtoi Shqipërinë.

72' Kosova në epërsi në thellë, 0:3. 

67' Edon Zhegrova apo një Messi i ri që po vjen,  nga rreth 20 metra dërgoi një goditje mjeshtërore e befasuese për Berishën, duke thelluar epërsinë në 0:3. 
66' Kosova gati trefishoi epërsinë. Talenti i madh Edon Zhegrova me të majtën e tij gati sa shënoi por portieri Etrit Berisha 

62' Kosova në aspektin teknikë shumë më e disiplinuar se sa Shqipëria e cila assesi të rrezikojë portën e Kosovës. Në lojë futet Atdhe Nuhiu në vend të Vedat Muriqit.

59' Edon Zhegrova futet në lojë në vend të Milot Rashicës.

58' Shqipëria ka vështirësi të mëdha, sepse assesi nuk arrin të derpërtojë në 16-shin e Kosovës.

51' Sulmuesi  Arbër Zeneli me një depërtim mjeshtëror dhe nga rreth 15 metra me një goditje të fortë në të djathtën e la të shtangur portierin Etrit Berisha, 0:2.

49' Kosova edhe në pjesën e dytë më energjike, të paktën në këto minutat e para.

47' Kosova avancon me golin e Zenelit që shënoi në minutën e 21-të.

Filloi pjesa e dytë. Përfundoi pjesa e parë.

45' Mërgim Vojvoda harkoi për mrekulli dhe gati sa befasoi portierin Berisha.

43 Roshi pati mundësi të rrezikojë por pason një top të gabuar. Largohet Qaka e futet Manaj si dhe Roshi e inkuadrohet Lilaj.

39' Avdijaj ishte në pozitë shumë të mirë brenda 16-shit, por e tepron sepse as nuk pasoi dhe as nuk gjuajti në portë. 

36' Mbetet edhe më tutje pa ndryshim rezultati.

33' Odise Roshi është ndëshkuar me karton të verdhë.

30' Lojë mjaft e mirë, Shqipëria orvatet me topa të gjatë të atakojë portën e Kosovës.

27'  Kosova është në epërsi dhe luan mjaft mirë, kurse sulmi i Shqipërisë nuk është në nivelin e duhur.

23' Kosova gjithnjë e më energjike dhe shton vazhdimisht presionin në drejtim të portës shqiptare.

21  Besar Halimi jashtëzakonisht i zgjuar për bukuri e sherbeu Arbër Zenelin, i cili doli i vetmuar dhe nga rreth 10-11 metra realizoi për 0:1.  Në fakt, mbrojtja e Shqipërisë në krye me Elseid Hysajn ishin në gjumë.

18' Kosova po luan më mirë, më enegjike, ndërsa Avdijaj është lënduar paksa gjatë një duelit me një mbrojtës të Shqipërisë. 

15'  Frederik Veseli bëri gabim trashanik, por sulmuesi Donis Avdijaj doli i vetmuar dhe godet me të djathtën e tij rrafsh me tokën, por nuk mposhtet portieri Etrit Berisha i Shqipërisë.

Image

Në Zurich dëgjohen edhe brohoritjet besa, besë... atmosferë brilante. 
14' Rashica për bukuri harkoi në 16-sh, por Vedat Muriqi nuk ishte i shkathët dhe rasti shkoi në pakthim.

12' Ndeshja fillon të nxehet dhe Kosova në një farë forme shtron presionin te kuqezinjtë.

9' Te dyja kombëtaret luajnë me qetësi dhe deri me tash sulmi nuk duket aspak i rrezikshëm. 

7' Pa ndryshim rezultati, ndeshje me shumë taktizime.

5' Te dyja skuadrat kërkojnë të zënë njëra - tjetrën në befasi.

3' Lojë e baraspeshuar, masin pulsin e njëra - tjetrës. Korneri i parër për Kosovërn.

1' Stadiumi është i veshur kuq e zi.

Filloi ndeshja, shtohen emocionet te kudo që janë shqiptarët, për faktin se përballen Shqipëri-Kosovë. 

Intonohen himnet.  Edhe Bekim Zogaj gjyqtar i katërt. 

Atmosferë brilante në stadiumin "Letzigrund" në Zurich, rreth 20 mijë shikues, dalin kombëtaret në fushë. 

Image

Gjithçka e gatshme për takimin miqësor mes kombëtares së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila do të luhet sonte 20.00 në  Zurich të Zvicrës. Merret vesh se janë shitur për këtë ndeshje mbi 20 mijë bileta dhe pa dyshim se pritet një atmosferë e jashtëzakonshme sidomos nga bashkëatdhetarët tanë., që do t'i shohin në fushë dy kombëtare, të një gjakut e të një kombit. Shqipëria dhe Kosova do të ndeshen sonte në Zurich.

Të dy trajnerët tashmë kanë publikuar formacionet të cilat do të përdorin në këtë ndeshjes miqësore.

Shqipëria: Berisha, Hysaj, Veseli, Gjimshiti, Lika, Ndoji, Ramadani, Qaka, Roshi, Guri, Cikalleshi.

Kosova: Ujkani, Aliti, Ismajli, Rrahmani, Vojvoda, Shala, Halimi, Zeneli, Avdijaj, Rashica, Muriqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat