Mavraj: Kosova e kishte ndeshjen e jetës, për ne ishte test

Futboll

Mavraj: Kosova e kishte ndeshjen e jetës, për ne ishte test

Më: 31 maj 2018 Në ora: 16:53
Mavraj: Kosova e kishte ndeshjen e jetës, për ne ishte test

Skuadra kombëtare e futbollit vijon përgatitjet e saj në Verbier, në vigjilje të ndeshjes së dytë miqësore me Ukrainën.

Përpara mediave, sot dolën futbollistët Mërgim Mavraj dhe sulmuesi Bekim Balaj.

Mbrojtësi Mavraj, lidhur me situatën pas humbjes me Kosovën deklaroi:

“Ishte një ndeshje, nga e cila mendoj se përgjegjësia është vetëm e jona. Nuk kemi transmetuar në fushë atë që trajneri ka kryer gjatë seancave stërvitore. Kosova e kishte ndeshjen e jetës, ndërsa skuadra jonë kishte testin për të provuar edhe disa elementë të rinj. Sidoqoftë, më duhet të them që ne mbajmë përgjegjësi të plotë. Trajnerin e mirëkuptoj për zgjedhjen e tij për të mos qenë titullar dhe e falënderoj për trajtimin e tij.

Kemi përpara Ukrainën dhe do të përqendrohemi fort, sepse duam të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. I kemi një borxh publikut tonë, por edhe trajnerit. Besoj se skuadra jonë i ka kapacitetet e duhura për të reaguar shpejt. Edhe të rinjtë që vijnë në ekipin kombëtar duhet ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë mundësi që u jepet për të veshur këtë fanellë, teksa edhe ndihma e mbështetja jonë për ta nuk do të mungojë. Jemi mirë. Skuadra është e përqendruar dhe kam besim se do të reagojë maksimalisht në sfidën miqësore të radhës”.

Ndërkaq, edhe Balaj mendon se gjithsecili duhet të nxjerrë mësimet e tij nga ajo humbje me Kosovën: “Një ndeshje, ku gjithkush nga ne duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Ne që jemi në fushë jemi përgjegjësit kryesorë. Përpara kemi Ukrainën dhe që aty duhet të demonstrojmë forcën dhe më të mirën tonë në fushë. Unë jam gati, por çdo zgjedhje teknike i takon vetëm trajnerit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat