Shkupi nuk ndalet me përforcime

Futboll

Shkupi nuk ndalet me përforcime

Më: 7 qershor 2018 Në ora: 15:52
Pamje nga prezantimi

Skuadra e futbollit Shkupi pasi që dje ka promovuar përforcimin e parë, sot në radhët e veta ka sjellë edhe një tjetër futbollist.

Me skuadrën bardhekaltër është bashkuar është qendër mbrojtësi 24 vjeçar, Amir Bilali, i cili si përforcim te Shkupi vjen nga Superliga e Shqipërisë, ku ishte pjesë e skuadrës së Teutës.

Bilali para se të kalonte te Teuta ishte pjesë e skuadrës së Rabotniçkit, që do të thotë se e njeh mirë kampionatin vendor në Maqedoni. Me Teutën, futbollisti nga Gostivari që është edhe me shtetësi të dyfishtë, shqiptare dhe të Maqedonisë, luajti në 17 ndeshje duke regjistruar një gol. Gjithashtu futbollisti i ri i Shkupit ka përvojë edhe në garat evropiane, pasi me Rabotniçkin luajti në dy ndeshjet e Ligës së Evropës, ndaj Dinamo Minskut.

Pas prezantimit për faqen zyrtare të klubit ka folur Bilali, duke mos fshehur gëzimin që bashkohet me ekipin e Shkupit.

“Jam shumë i kënaqur me mikpritjen e gjithë stafit, nga presidenca e deri te trajneri. Bisedova me menaxherët e mi të cilët më treguan për projektin qe ka ekipi i FC Shkupit, andaj nuk mendova dy herë për të qenë pjesë e ekipit që ka pas vete një traditë të madhe të futbollit. Nuk do të fsheh se kisha shumë oferta nga ekipe të Shqipërisë, Maqedonisë por edhe jashtë vendit, por jam shumë i lumtur për zgjedhjen qe kam bërë. Tani duhet vetëm punë dhe sakrificë, e që me ndihmën e Zotit të fillojmë një aventurë të re dhe të arrijmë së bashku sa më shumë suksese. Te Shkupi me shumë dëshirë kamë ardhur duke e ditur edhe se çfarë tifozerie ka, të cilëve u premtoj se në secilën ndeshje do japim maksimumin si ekip që të kënaqim pritshmërit e tyre”, ka thënë Bilali.

Më parë të përkujtojmë se Amir Bilali ishte pjesë e skuadrës së Bylisit, ndërsa ka luajtur edhe në kampionatin slloven me Celjen, si dhe ishte pjesë e U19 te Kremonezes e Lazios në Itali.

Me Bilalin, Shkupi ka bërë edhe një goditje të madhe në afatin kalimtar, duke përforcuar repartin e mbrojtjes me një futbollist të ri i cili me vete ka edhe një eksperiencë të duhur. Shkupi dhe Bilali kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për dy vitet e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat