Nesër Ditë Zie në Kosovë, UEFA me telegram ngushëllimi për vdekjen e Fadil Vokrrit

Futboll

Nesër Ditë Zie në Kosovë, UEFA me telegram ngushëllimi për vdekjen e Fadil Vokrrit

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 10:57
Fadil Vokrri

(E plotësuar) -Unioni i Federatave Europiane të Futbollit (UEFA) ka publikuar telegram ngushëllimi për vdekjen e kryetarit i Federatës së Futbollit të Kosovës , Fadil Vokrri.

Në njoftimin e postuar në faqen zyrtare të UEFA-s thuhet se ‘Futbolli europian po mban zi për vdekjen e Fadil Vokrrit’.

“Futbolli në Kosovë dhe në Evropë po mbajnë zi për presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, i cili ka vdekur papritur në moshën 57 vjeçare. Fadil Vokrri, i cili kishte një karrierë të suksesshme si një lojtar, ishte një udhëheqës frymëzues në progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë, i cili kulmoi në asociimin kombëtar duke u bërë shoqata anëtare e 55-të e UEFA-s në 2016”, thuhet në njoftim.

“Ne jemi të tronditur dhe shumë të pikëlluar për të dëgjuar për vdekjen e Fadil Vokrrit,” tha presidenti i UEFA Aleksander ?eferin.

“Ai ishte një futbollist i shquar që gëzonte një karrierë më të shquar dhe u bë administrator i futbollit dhe president i shoqatës kombëtare të kalibrit më të lartë. Fadil ishte figura kryesore në zhvillimin e futbollit të Kosovës që çoi në Federatën e Futbollit të Kosovës duke u bërë anëtar i UEFA-s në 2016.”, shtoi ai.

Së bashku me biografinë e Vokrrit në këtë faqe, u shpreh edhe ngushëllimi final nga Kryetari i UEFA-s.

“Në emër të futbollit evropian, dëshiroj të shpreh dhimbjen më të thellë për familjen e tij, Federatën e Futbollit të Kosovës dhe komunitetin e futbollit të Kosovës”, tha Ceferin.

Nesër Ditë Zie në Kosovë

Vdekja e papritur e Fadil Vokrrit, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe legjendës së sportit i ka pritur të gjithë.

Varrimi i tij pritet të bëhet nesër pasdite, ndërsa protokolli i shtetit e ka marrë përsipër organizimin e ceremonisë shtetërore të varrimit.

Në anën tjetër, zyrtar të presidencës i kanë thënë se presidenti Hashim Thaçi do ta shpallë të dielën (nesër) Ditë Zie Kombëtare në nderim të Vokrrit. Vendimi së shpejti pritet të bëhet publik.

Vokrri vdiq sot në mëngjes pas një sulmi në zemër. Ai edhe pak ditë do të festonte ditëlindjen e 58-të.

Vokrri do të varroset me ceremoni shtetërore, Pacolli autorizon protokollin e shtetit

Menjëherë pas vdekjes së kryetarit të FFK-së dhe legjendës kosovare, Fadil Vokrri, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka autorizuar protokollin e shtetit që të organizojë të gjithë ceremoninë.

Zyrtarë të lartë në MPJ kanë thënë se tashmë protokolli i shtetit është vënë në kontakt me Federatën e Futbollit për të organizuar në mënyrë shtetërore dhe sa më mirë ceremoninë e varrimit të Vokrrit.

Koha e varrimit të Vokrrit ende nuk është caktuar. Vokrri vdiq sot pas një sulmi në zemër.

FFK lajmëron për varrimin e Vokrrit, jep detaje interesante për jetën e tij

FFK ka bërë të ditur se për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë, teksa ka publikuar edhe Biografinë e njeriut që shihet si më meritori për pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA.

“Me pikëllim dhe dhimbje të thellë e njoftojmë opinionin se sot presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë. Për ceremoninë e varrimit të të ndjerit opinioni do të njoftohet me kohë. Ky lajm ka tronditur mbarë opinionin, derisa ka prekur jashtëzakonisht shumë komunitetin e futbollit”.

Biografia e presidentit Fadil Vokrri

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë. Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. I ndjeri pas vetës la bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën. 

Valon Murati: Fëmijët sot kanë Mesin e Ronaldon, ne idhull kishim Fadil Vokrrin

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka reaguar pas lajmit për vdekjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri.

Murati përmes një postimi në Facebook, ka treguar se ishte me Vokrrin, kur ai ka pësuar sulmin.  

“Fëmijët sot kanë Mesin e Ronaldon. Ne idhull kishim Fadil Vokrrin. I trishtuar që nuk i mbijetoi sulmit. Edhe më i trishtuar, që isha dëshmitar i kësaj beteje. Le t’i prehet shpirti në paqe!”, ka shkruar Murati.

Doktorët: Vokrri erdhi pa shenja jete

Si pasojë e një komplikimi shëndetësor, të cilin nuk mundi ta tejkalojë duke u dërguar me urgjencë në qendrën kryesore spitalore të vendit, kreu i futbollit ka ndërruar jetë

Specialisti i mjekësisë emergjente, Avdush Bajgora, ka thënë për media se legjenda e futbollit të Kosovës Fadil Vokrri ishte pa shenja jete kur kishte arritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Vokrri ishte dërguar me urgjencë në qendrën kryesore spitalore të vendit pas një sulmi në zemër, të cilit nuk ka mundur t’i mbijetojë, duke ndërruar akoma pa mbërritur në QKUK.

***

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë sot pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Vokrri ka ndërruar jetë në moshën 57 vjeçare.

Më 23 qershor ai do të mbushte 58 vjet, por nuk ia dol

***

Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka ndërruar jetë pas një komplikimi shëndetësor.

Lajmin e kanë konfirmuar familjarë të legjendës të futbollit të Kosovës.

Ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi i është rënduar gjendja.

Por gjendja e tij ka shkuar duke u përkeqësuar dhe ai ka ndërruar jetë në qendrën kryesore spitalore të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat