Hierro: Nuk ka kohë për fjalë

Futboll

Hierro: Nuk ka kohë për fjalë

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 18:24
Fernando Hierro

Fernando Hierro ka ftuar kombëtaren spanjolle që të harrojë largimin befasues të trajnerit Julen Lopetegui, sepse sipas tij nuk ka kohë për diskutime apo qejf mbetje, sepse duhet të garojnë për të fituar Kupën e Botës në Rusi.

50-vjeçari dha konferencën e parë për shtyp në Krasnodar si trajner i Spanjës, që kur ai mori vendin e Lopetegui, i cili u shkarkua në mëngjesin e sotëm, sepse zyrtarizoi kalimin te Real Madrid, ende pa mbaruar veprimtaria në Rusi. Kjo u quajt si “tradhti” nga Federata Spanjolle e Futbollit dhe tanimë Hierro, që ishte drejtori teknik, do të marrë drejtimin e ekipit.

Hierro tha: “Nuk kemi kohë për diskutime dhe fytyra të vrenjtura. Duhet ta përballojmë këtë situatë dhe të luftojmë për botërorin. Kemi një mundësi të madhe, futbollistët e dinë se një herë në katër vjet, ndoshta një herë në jetë mund të luajnë një Botëror dhe duhet të qëndrojnë 100% të përqendruar te futbolli. Duhet të kemi mendësi pozitive dhe mos japim opinione. Nuk është koha e qejfmbetjeve, duhet të kemi mendësi pozitive. Të ne këtu kemi një mision të përbashkët.”

Hierro, ish-kapiten i Real Madrid me të cilin ka luajtur 584 ndeshje, shtoi: “Nuk ishte vendimi im për largimin e Lopetegui por i kreut të federatës, që kishte një tufë me argumenta në favorin e tij. Mendimi im u dha kur Lopetegui rinovoi deri në 2020. Unë kisha besim te ai, por tani kam besim se mund ta zëvendësojë ashtu si duhet, sepse përndryshe nuk do të isha këtu. Besoj se do të fitojmë Kupën e Botës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat