Gavazajt drejt Belgjikës

Futboll

Gavazajt drejt Belgjikës

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 14:55
Pamje nga një ndeshje

Mbiemri Gavazaj. Janë vëllezërit Enis dhe Zenel, të lindur në Prizren.

Pozicioni: mesfushorë krahu. Enisi i majtë, që mund të luajë edhe nga e djathta; Zeneli në krahun e djathtë, por që luan edhe majtas. Të dy janë pjesë e Kombëtares.

23-vjeçari i Skënderbeut është pjesë e projektit të trajnerit Panuçi te Shqipëria, ndërsa Zeneli, 18-vjeçar, është pjesë e përfaqësueses së drejtuar nga Erjon Bogdani.

Shumë të përbashkëta, ashtu si mund të jetë edhe ecuria në karrierë. Enis Gavazaj shkëlqeu për dy sezone te Skënderbeu dhe tashmë është drejt rikthimit në elitën e futbollit belg, me transferimin që duket vetëm çështje orësh.

Në anën tjetër, Belgjika duket edhe në të ardhmen e Zenel Gavazajt, pas sezonit të mirë të zhvilluar te Liria e Prizrenit, por edhe paraqitjeve në nivel ndërkombëtar me Kombëtaren e 19-vjeçarëve.

Për talentin e ri interes ka shfaqur edhe Kukësi, me drejtorin sportiv Nexhipi që e ka vlerësuar seriozisht hipotezën e afrimit në skuadër. Ndoshta Kategoria Superiore mund të ishte trampolina më e mirë për më të voglin e Gavazajve, që edhe në këtë rast do të kishte shansin të ndiqte gjurmët e vëllait më të madh.

Tashmë mbetet për të parë çfarë do të ndodhë gjatë verës dhe ndoshta me një duel brenda familjes për të vlerësuar se cili nga dy Gavazajt është më i mirë, transmeton SS.

Të gjitha këto i takojnë së ardhmes, ndërsa për të tashmen mund të thuhet se me Enisin dhe Zenelin, Shqipëria ka dy lojtarë tepër cilësorë, që do synojnë të jenë protagonistë edhe me ngjyrat kuqezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat