Leci: Drita ka shumë pika të forta, mezi presim sfidën me Lincoln-in

Futboll

Leci: Drita ka shumë pika të forta, mezi presim sfidën me Lincoln-in

Nga: Kemajl Goca Më: 27 qershor 2018 Në ora: 13:20
Pamje nga një ndeshje, FC Prishtina

Drita nga Gjilani përgatitet për sfidën tjetër në Champions League, kundër skuadrës nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps. Kampioni i Kosovës eliminoi skuadrën nga Andorra, duke e mundur pas 120 minutave me rezultat 2:0, ngase në kohë të rregullt ndeshja kishte përfunduar 0:0, kurse Lincoln Red Imps e mposhti me 2:0 La Fioritan nga San Marino. Në finalen e sfidës parakualifikuese te Championsit, do të ballafaqohen Drita dhe Lincoln Red Imps, e cila luhet të premten (me 29 qershor, në orën 20.30).

Skuadra nga Gjilani beson e shpreson se do ta kalojnë edhe këtë pengesë, që të sigurojnë vizën për në rrethin e parë të eliminatorëve, ku ndeshen me Malmon nga Suedia. Atmosfera te klubi bardhë e kaltër është jashtëzakonisht e mirë dhe me padurim e presin sfidën e radhës.  Duhet kujtuar se Santa Coloma-n e mundën me golat e Xhevdet Shabanit (99’) dhe Fidan Gërbeshit (108’-nga penalltia). Liridon Leci prej mbrojtësve më të mirë në vendin tonë, ka deklaruar se janë mirë të përgatitur dhe shpreson se do ta mposhtin edhe Lincoln Red Imps.

“Bota sot”: Drita bëri historinë, e keni pritur një kalim të raundit në Champions League?

Liridon Leci: Normalisht jemi shumë të lumtur për këtë sukses jo vetëm ne si FC Drita por besoj krejt dashamirët e futbollit për këtë rezultat të mirë. Normalisht kemi besuar në skuadrën tonë, kemi besuar në kualitetet tona dhe kemi pritur fitore, gjë të cilën e arritëm dje.

“Bota sot”: Sa ishte vështirë ndaj Santa Colomas, një ekip që ka përvojë dhe ku ishin pikat kryesore të Dritës?

Liridon Leci: Me thënë të drejtën kemi pas shumë pak njohuri për kundërshtarin. Kishin eksperiencë shumë sepse ishin lojtarë me goxha bagazh. Mirëpo ne kemi luajt lojën tonë që kemi luajtur gjatë gjithë kampionatit dhe nuk jemi bazuar shumë të kundërshtari. Normalisht Drita ka shumë pika të forta dhe këtë e dëshmoj duke ndalë sulmet e kundërshtarit dhe duke menaxhuar lojën në mënyrën më të mirë.

“Bota sot”: Të premten e 29 qershorit, Drita ndeshet me Lincoln Red Imps, a mendoni se do të jetë më lehtë se me Santa Coloma?

Liridon Leci: Nuk mendoj që do jetë më lehtë sepse Lincoln me sa e kemi pa dje ndeshjen, kishte ekip të mirë, por nuk është se ka ndonjë dallim të madh që të themi janë shumë më të mirë.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Dritën?

Liridon Leci: Grinda që ka ekip dhe dëshira për të fituar.

“Bota sot”: Drita kurrë më afër rrethit të parë eliminatorë të kualifikimeve për Champions League,  nëse kualifikohet do ta ketë rival Malmon, iu emocionon?

Liridon Leci: Së pari shpresoj shumë ta kalojmë këtë raund sepse vërtet do të ishte shumë mirë për gjithë futbollin sepse do të renditemi më lart në aspektin e koeficientit të ekipeve. Ndërsa, sa i përket asaj që thoni ju, emocion. Jo fare, më shumë qejf edhe dëshirë do të doja të luaja kundër Malmos sepse është një ambient fantastik dhe kanë një tifozeri shumë të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat