Karius shpërthen ndaj kritikave, Casillas i del në mbrojtje

Futboll

Karius shpërthen ndaj kritikave, Casillas i del në mbrojtje

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 13:19
Loris Karius

Portieri gjerman i Liverpoolit ka reaguar ndaj atyre që e kritikojnë vazhdimisht.

Loris Karius ka qenë në qendër të kritikave që nga finalja e Ligës së Kampionëve, ku me dy gabime amatoreske ia kishte mundësuar Real Madridit të shënonte dy gola, që në fund ishin vendimtar në humbjen 1-3 të Liverpoolit.

Por gabimet e portierit gjerman po vazhdojnë edhe në këtë fazë përgatitore, ashtu si edhe talljet ndaj tij.

Pas humbjes së mbrëmshme nga Dortmundi me rezultat 1-3, Karius ka zgjedhur rrjetin social Instagram për të reaguar ndaj atyre që e kritikojnë.

“Për ata që kënaqen me dështimet dhe vuajtjet e të tjerëve, ndjej keqardhje për ju”, ka shkruar 25-vjeçari.

“Çfarëdo që po ndodh në jetët e juaja që ju të keni kaq shumë inat dhe urrejtje, unë lutem që kjo të kalojë dhe gjërat e mira të vijnë për ju”.

Në mbrojtje të Karius ka dalë portieri Iker Casillas, që po ashtu ka shkruar në rrjetet sociale.

“A do të ndalen ndonjëherë këto sulme ndaj Loris Karius? Po flas për të dhe shumë portierë të tjerë”, ka shkruar Casillas në Twitter.

“Kjo botë ka shumë probleme më të mëdha”.

“Lëreni djaloshin rehat. Ai është njeri ashtu siç jemi të gjithë ne”, thuhet në reagimin e ish-portierit të Real Madridit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat