Vllazninë e rrëzoi qeveria

Futboll

Vllazninë e rrëzoi qeveria

Më: 26 korrik 2018 Në ora: 12:48
Vllazninë e rrëzoi qeveria

Ish-administratori i Vllaznisë, Neritan Kalamishi, i ka quajtur sulm politik dhe qesharak akuzat që Prokuroria e Shkodrës ka ngritur ndaj tij dhe dy ishzyrtarëve të tjerë të klubit shkodran.

Kalamishi nuk pranon akuzat dhe i cilëson si të sajuara nga banda kriminale e qeverisë aktuale: “Është politike. Fatos Gjyrezi, ish-prefekt i PD-së, unë ish-komisioner i PD-së, Denis Fani ish-kandidat i PD-së për deputet. Me 28 milionë lekë të reja të ardhura, nuk mund të bësh shpërdorim edhe po të duash. Kontratat e shërbimit nuk mund të hidhen në tender kur nuk ke fond të miratuar, por bëhen blerje të vogla aq sa ke lekë në arkë”, thotë ndër të tjera ishadministratori i Vllaznisë, në reagimin e tij për “Panorama Sport”.

Reagimi “Është shumë qesharake edhe ai audit i KLSH-së, i porositur nga Paulin Sterkaj dhe Tom Doshi! Po të bëhej tender pa pasur fondin e miratuar, është shkelje penale, po ku marrin vesh nga ligji militantët e PS-së. Ndaj unë edhe kam prishur kontratat edhe me trajnerët Baldo Ranieri dhe të tjerët, duke vendosur trajnerë nga akademia, pikërisht se Këshilli Bashkiak nuk miratonte fondet dhe kur nuk ke lekë, mund të biesh nga kategoria. Për këtë arsye edhe kam folur në Këshillin Bashkiak, por është fatkeqësi kur nuk të kuptojnë as të tutë.

Në mungesë ata mund të marrin çdo vendim, por kur të kthehem unë, do të di t’i dal Zot vetes, pasi kam zbatuar ligjin në mënyrë rigoroze. Qeveria ia arriti ta hedhë Vllazninë nga kategoria dhe është turp, pasi edhe pse kontratat i kanë rritur për futbollistët dhe trajnerët, ekipi sërish ra. Ky proces i duhet qeverisë për të shpallur falimentin e shoqërisë dhe privatizimin, siç duket me vlerë të ulët dhe para zgjedhjeve. Gjithsesi, kontratat janë lidhur me përzgjedhje midis tri firmave ashtu siç e ka dhe ligji, por asgjë s’i pengon ata banditë që e mbollën Shqipërinë me drogë dhe e mbushën vendin me banda kriminale, që edhe të zhdukin të gjithë dokumentacionin që kanë pasur. Sqaroj këtu se shkarkimin e kam marrë vesh nga mediat dhe të gjithë dokumentacionin e kanë marrë vet si u ka dashur qejfi. Me siguri ato mundohen që të pengojnë kthimin tim një ditë, por gabohen”, deklaron shumë i zhgënjyer Kalamishi në reagimin e tij.

NDËRHYRJA POLITIKE Kalamishi sqaron më tutje, duke thënë se edhe në kohën kur drejtonte ai kanë dashur ta rrëzojnë Vllazninë, ndërsa thotë se nuk e ka lejuar një gjë të tillë: “Me 28 milionë lekë të reja përfshihen të gjithë rrogat e lojtarëve, trajnerëve, shërbimi me autobus, hotelet, ushqimi e çdo shërbim tjetër. Ata janë munduar ta hedhin Vllazninë nga kategoria kur isha unë, por veç Zoti e di si e kam mbajtur pa rënë. Po ju sqaroj se nga muaji maj, kur isha unë, Lorenc Luka nuk kishte të drejtë firme dhe Voltana Ademi e merrte detyrën në shtator, kur merkatoja mbyllej në gusht dhe po në gusht fillonte kampionati. Arka e klubit kishte zero lekë. Qesharake si mund të bësh tender pa lekë”.

Kontratat Ish-administratori hedh poshtë pretendimet se ka bërë shkelje në kohën kur drejtonte Vllazninë: “Ju garantoj se e njoh ligjin më mirë se ata që flasin gjithë ditën për ligjin. Përsa i përket federimit, janë federuar 28 lojtarë te Vllaznia dhe të tjerët te Vllaznia B, ekzakt sipas ligjit. Sqaroj këtu se kam krijuar Vllazninë B sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak të mëparshëm, duke ruajtur numrin e lojtarëve 18 vjeç që i duheshin ekipit të parë dhe duke mos djegur lojtarët e akademisë dhe të marrin nga federata ligjshmërinë.

Edhe po të dua unë të federoj më shumë lojtarë, nuk federohen nga FSHF-ja. Të gjitha kontratat janë lidhur pas tri ofertash, ashtu siç thotë ligji. Por, të nxjerrin edhe vlerat që kemi paguar, të gjitha nën vlerën e tregut. Për hotelet të nxjerrin edhe faturat dhe kur luan Vllaznia në Vlorë, nuk mund t’i çojmë për të fjetur te hotel “morri” në Librazhd se është më lirë. T’ia kërkojnë bashkisë së re sa është vlera që kanë paguar nga ato për hotelet për një sezon dhe sa ka qenë e jona dhe po të garantoj se këto mund ta kenë dyfishin. Ne e kemi çuar ekipin të luajë brenda ditës në Pukë dhe në Ballsh pikërisht se nuk kishim lekë”, sqaron Kalamishi në reagimin e tij.

Mallkimi Kalamishi nuk ka akuza vetëm për qeverinë, por edhe për vet kryetaren e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi: “Vetëm nga ndryshimi i kontratave nga ato të shërbimit në kontrata pune, bashkia Shkodër ka humbur miliona lekë të taksapagueseve shkodranë dhe i janë dorëzuar qeverisë së Edi Ramës. Ky është shpërdorim. Futbollistët nuk mund të kenë kontrata pune, pasi ata dalin vetëm 12 orë punë (shërbim në javë dhe jo 40 orë), katër ditë nga dy orë stërvitje dhe katër orë ditën e ndeshjes”.

Duke dashur të tregojë pastërtinë e tij, ish-administratori ka edhe një mesazh: “Po e mbyll me një shprehje popullore: Iu bëfshin ilaçe çdo njërit që ka vjedhur edhe një lek nga buxheti i Vllaznisë”. Prokuroria akuzon për shkelje dhe shpërdorim ish-administratorët e Vllaznisë, Fatos Gjyrezi dhe Neritan Kalamishi, si dhe ish-financierin Denis Fani, duke pretenduar se kanë shkaktuar një dëm ekonomik në shtet prej 300 milionë lekësh të vjetër. Ndërkaq, klubi shkodran është përfshirë së fundmi nga probleme të ndryshme. Përveçse skuadra ra në Kategorinë e Parë, ka shumë probleme administrative dhe së fundmi edhe akuza për shpërdorim fondesh publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat