Tovërlani: Nuk dua që Ferizaj vetëm të defilojë në Superligë

Futboll

Tovërlani: Nuk dua që Ferizaj vetëm të defilojë në Superligë

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 17:53
Afrim Tovërlani

Ferizaj pretendon të përgatitet sa më mirë për edicionin e ri në elitën e futbollit të Kosovës.  Skuadra drejtohet nga ish futbollisti i mirënjohur, Afrim Tovërlani, që i takon plejadës së artë të Prishtinës gjatë viteve të 80-ta dhe njihet si trajneri më i trofeshëm i pasluftës.

‘Toki’ beson e shpreson se do të jetë kampionat i fortë në bazë të përforcimeve që kanë bërë klubet deri me tash. Kryetrajneri i ri i Ferizajt mendon se paksa janë të vonuar me përgatitje, por shpreson që të përgatiten maksimalisht deri në fillimin e kampionatit të ri. Tovërlani tha se janë përforcuar me disa futbollistë ku kanë pasur nevojë dhe nuk e përjashton mundësinë që të sjellin edhe përforcime tjera.

 Duhet theksuar se Ferizaj pas një viti është rikthyer në elitë, por kësaj radhe me pretendime që të jetë skuadër e fortë dhe të shënojnë rezultate të mira.       

“Bota sot”: Afrim, në një ambient të ri, në KF Ferizaj, cila është atmosfera?

Afrim Tovërlani: Është shumë e mirë. Është mobilizim i madh sidomos duke qenë të vetëdijshëm se jemi pak vonë. Megjithatë të gjithë po japin angazhimin dhe shpresoj në ditë të mira.

“Bota sot”: Ferizaj ka bërë disa përforcime, por çfarë i duhet më shumë dhe ku ka nevojë për përforcime tjera?

Afrim Tovërlani: Kemi bërë përforcime ku na është dashur dhe ku kemi nevojë.  Do të bëjmë aty ku na duhet patjetër por duke u munduar në maksimum mos t’i anashkalojmë as lojtarët ferizajas, ata që e meritojnë. Mos harroni se klubet janë mobilizuar dhe shumica e tyre me kohë janë organizuar. Nuk dua që Ferizaj vetëm të defilojë në Superligë. Ky qytet meriton më shumë.

“Bota sot”: Pak a shumë dihet se cilat nga skuadrat janë përforcuar, por me cilat synime futeni me ekipin e Ferizajt?

Afrim Tovërlani: Fillimisht me synimet janë që Ferizaj të bëhet klub stabil dhe të fitojë respektin që e meriton. Pastaj me kalimin e kohës do të shohim dhe vlerësojmë se ku jemi.

“Bota sot”: Sipas kësaj që shihet në klubet tjera, a pritet një kampionat më i fortë se ai paraprak?

Afrim Tovërlani: Po, gjithsesi se pritet të jetë më i forti sipas asaj se si po përgatiten ekipet dhe transferimet që po bëjnë. Realisht janë 5-6 skuadra të forta të cilat me kohë janë sistemuar dhe 5-6 që janë vonuar apo kanë neglizhuar nga pak. Por në futboll nuk i dihet.

“Bota sot”: Elita është pa skuadrat si Vëllaznimi,  Trepçëa, Besa dhe Vushtrria, a është më e varfër sidomos për nga ana e shikueshmërisë?

Afrim Tovërlani: Po, është më e varfër sa i përket shikueshmërisë dhe emrit të klubeve, por mos harroni se emrat nuk luajnë dhe mendoj se pikërisht kryesitë e klubeve janë ato që i japin kahje dhe drejtim ekipeve. Duhet të mësohemi me përgjegjësi dhe secili të analizoj se pse kanë ardhur në këto pozita.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat