Livoreka: Jemi të motivuar kundër Dudelange-s

Futboll

Livoreka: Jemi të motivuar kundër Dudelange-s

Nga: Kemajl Goca Më: 1 gusht 2018 Në ora: 19:38
Përparim Livoreka

I madh dhe i vogël me kërshëri të madhe e presin ballafaqimin mes kampionit të Kosovës, Dritës nga Gjilani dhe Dudelange-s nga Luksemburgu! Drita beson e shpreson në përmbysje të rezultati kundër kampionit të Luksemburgut. Drita e humbi me rezultat 2:1 sfidën e parë të rrethit të dytë të kualifikimeve për Europa League. Megjithatë nesër (në orën 20.45) Drita beson në hakmarrje dhe në kualifikim, që pa dyshim do të ishte historike për futbollin tonë.  Dritës i mjafton fitorja me 1:0 që të avancojnë tutje. Dudelange është skuadër mjaft e papërshtatshme, por Drita shpreson se e ka përparësinë e fushës në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Sulmuesi i Dritës, Përparim Livoreka, tha se janë të motivuar për këtë sfidë dhe beson se mund ta arrijnë qëllimin.

“Jemi të motivuar në maksimum dhe jemi të gjithë të bashkuar që të kalojmë tutje. FC Drita do të sjellë skuadra të mëdha dhe do të konkurroj me ta në UEFA Europa League. Jemi për të bërë histori dhe këtë do ta dëshmojmë sot, edhe pse kemi të bëjmë me një skuadër të fortë por ne do të japim gjithçka për të kaluar tutje”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”,  Livoreka.  Futbollisti tha se kanë respekt për kundërshtarin: “Respekt për kundërshtarin, por ne besojmë në lojën tonë dhe të bashkuar me ndihmën e tifozëve do të ia dalim mirë nga ky takim”. A jeni komplet dhe ku e sheh forcës e skuadrës tuaj?

“Jemi komplet dhe e mira e kësaj ndeshje është se edhe mbrojtësi Gërbeshi është rikthyer dhe na jep siguri edhe më të madhe, çka do të se jemi të gjithë në rregull për këtë takim. Forca jonë është se  jemi të bashkuar dhe të motivuar në maksimum për të kaluar këtë ndeshje, duke respektuar kundërshtarin në anën sportive dhe në fund nga gjithë angazhimi të dalim fitues dhe të kalojmë më tutje”, përgjigjet futbollisti.   Në stadiumin “Adem Jashari” pritet të tubohen një numër i madh i tifozëve “Intelektualë” në përkrahjen e klubit të zemrës. 

“Ne besojmë që do ta kemi përkrahjen e tifozëve tanë ‘Intelektualët’, të cilët kanë dëshmuar se në çdo ndeshje janë me neve dhe në këtë ndeshje jam shumë i sigurt se ata do të vijnë në numër të madh për të na motivuar. Në fakt, ata janë lojtari i 12-të i yni dhe pres një numër rekord. Ne po përfaqësojmë si klub i vetëm Kosovën që tani në Evropë dhe duhet të vijnë nga të gjitha qytetet për të na përkrahur në këtë takim historik!”, thotë sulmuesi. Ku është rreziku më i madh nga Dudelange? “Vërtet kanë një skuadër shumë cilësore, por tani i njohim mirë kundërshtarin dhe kemi punuar mjaft mirë që të mbulojmë gjithë rrezikun që vjen nga ata! Por mendoj që kanë një grup të mirë lojtarësh cilësor dhe i respektojmë, nuk do të nënçmojmë në asnjë mënyrë lojën e tyre dhe të kalojmë sa më mirë që është e mundur këtë takim, shprehet optimist Livoreka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat