Skandali me vizat, reagon Gjici: Na pritën si armiq

Futboll

Skandali me vizat, reagon Gjici: Na pritën si armiq

Më: 8 gusht 2018 Në ora: 15:09
Skandali me vizat, reagon Gjici: Na pritën si armiq

Kukësi mes peripecive ka mbërritur më në fund në Gjeorgji. Ato që kanë ndodhur e kanë raskapitur ekipin verilindor. Për “Super Sport”, presidenti i ekipit, Gjici, ka theksuar se ekipi që ka nxitur këto problematika është pikërisht Torpedo.

“Nuk na kanë pritur si miq, por si armiq. Është e pafalshme. Më e çuditshmja është se na mbanin me gënjeshtra për vizat, do ti bëjmë sot do ti bëjmë nesër . Torpedo është ajo që ka qenë nxitësi për të penguar ardhjen tonë këtu. Kjo nuk është e drejtë. Kjo është ta fitosh ndeshjen me menyra të tjera që nuk janë dëgjuar. Do të shikojmë si do të proçedojmë më vonë. Në takimin me delegatin e ndeshjes do të paraqesin të gjitha provat dhe faktet  që ky klub nuk është i aftë të organizoi ndeshje.” ishin fjalët e presidentit.

“Portierin Maloku e kanë mbajtur 7 orë duke u tallur me të. I thoshin se do të japim vizën sot, nesër ose mund të kthehesh. Kemi udhëtuar pa eskortë policie. Janë tallur domthenë. Kam marrë një vendim se me klubin e Torpedos nuk do të kemi asnjë komunikim por vetëm me UEFA-n. Asnjë prej anëtarëve të klubit nuk do të shkojë në drekën zyrtare me klubin gjeorgjian”, u shpreh Gjici

“Unë them se këto janë bërë me dashje, të nxitura nga klubi i Torpedos. Nuk ka njoftuar asnjë person për të na pritur, nuk kanë njoftuar as policinë e shtetit . Ndeshja nuk ka siguri, por ne kemi ardhur për të luajtur. Na kanë cënuar të drejtën tonë që të kishim të gjithë lojtarët në dispozicion, pra nuk jemi të barabartë.

Nuk kemi punë politike këtu, ne jemi këtu për futboll. UEFA do të reagojë sepse janë në dijeni të të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur. Çunat duhet të venë sedrën në punë për ta marrë një rezultat pozitv këtu. Kjo është një plus për tu karikuar” përfundoi presidenti Gjici.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat