Mbrojtja gabon gjithçka - Bota Sot
Mbrojtja gabon gjithçka

Futboll

E mërkurë, 17 tetor 2018

Mbrojtja gabon gjithçka

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 11:46
Kukësi

Dy ditë telashe në udhëtim dhe probleme me vizat për disa lojtarë, duhet të shërbenin si një motivim ekstra për Kukësin, por fusha e “Mikheil Meskhi”, në Tbilisi tregoi krejtësisht të kundërtën, me nënkampionët shqiptarë që u mposhtën me rezultatin e thellë 5:2.

Mungesa e Maliqit në krahun e djathtë nuk mund të shërbejë kurrsesi si një justifikim për Kukësin, që pësoi plot katër gola në 31 minutat e para të lojës, nga një skuadër e një niveli dukshëm më të ulët se verilindorët.

Katër goditje në portë dhe katër gola të shënuar për gjeorgjianët, ndërsa Hoxha dhe Qaqi të jepnin idenë e dy njerëzve të marrë nga rruga, që nuk ia kanë haberin këtij sporti, pasi gabuan gjithçka në tre golat e parë të vendasve.

Perla e Harba në minutën e 22-të, kur rezultati ishte 2-0, nuk shërbeu aspak për të zgjuar skuadrën e Cungut, që ndonëse qarkullonte mirë topin, vuante çdo sulm të gjeorgjianëve, që i kthehej në makth.

Trajneri shkodran tenton të ndryshojë diçka në pjesën e dytë, duke hedhur në fushë Shkodrën e plakun, për të shënuar gola dhe për të rihapur takimin, por përveç gabimeve, edhe fati nuk ishte në anën e kuksianëve sot.

Kjo pasi sulmuesi Reginaldo, autori i 18 golave në sezonin e kaluar me Laçin, shpërdoroi të paktën katër mundësi “të arta” shënimi, duke e “nxirë” edhe më tej mbrëmjen gjeorgjiane të Kukësit, që në minutën e 85-të pëson edhe golin e pestë, kur Qaqi vulos paraqitjen katastrofike, pasi driblohet me një lehtësi të pabesueshme nga kundërshtari.

Në minutën e 88’, Kukësi fiton një 11-metërsh me anë të Rustem Hoxhës, të cilin e shndërron në gol sulmuesi Sebino Plaku. Në minutat shtesë Kukësi bën gjithçka për të shënuar një tjetër gol, por dy herë Hoxha dhe Shameti janë të pafat, pasi portieri vendas arriti të presë mrekulist goditjet e tyre.

Natyrisht që javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena” dhe duke parë nivelin e skuadrave, Kukësi i ka të gjitha mundësitë për të tentuar mrekullinë dhe për të vijuar ende aventurën europiane.

Gjithsesi, për ta bërë këtë, duhet që të rikthehet Maliqi, të zgjohen qendërmbrojtësit dhe sulmuesit të bëjnë detyrën e tyre, duke dërguar topin në rrjetë, pasi këtë herë golat duhen me shumicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test