Maliqi: Me Llapin synojmë trofe dhe daljen në Evropë

Futboll

Maliqi: Me Llapin synojmë trofe dhe daljen në Evropë

Nga: Kemajl Goca Më: 13 gusht 2018 Në ora: 18:18
Maliqi: Me Llapin synojmë trofe dhe daljen në Evropë

Në fundjavë fillon edicioni i ri në elitën e futbollit të Kosovës dhe pothuajse të gjitha skuadrat janë të gatshme për betejat e reja. Llapi nga Podujeva është prej skuadrave më të përforcuara, me kryetrajner të ri Bylbyl Sokoli dhe me disa lojtarë me përvojë, gjithsesi se kërkojnë njërin nga trofetë: titullin apo Kupën e Kosovës. Behar Maliqi prej futbollistëve më të mirë në vendin tonë, me një përvojë të jashtëzakonshme, në KF Aeroporti të Fushë Kosovës, KEK të Kastriotit, në Prishtinë, Partizan të Tiranës, Feronikel të Drenasit, tani është pjesë e Llapit, ndër skuadrat më të organizuara dhe me një tifozeri të shkëlqyeshme, siç janë “Legjendat”. Ai shprehet se do ta fitojnë njërin nga trofetë dhe të sigurojnë edhe biletën për në garat evropiane, pasi që këtë e meriton qyteti i Podujevës, që jeton me futbollin.  

Edhe pse vapë “përvëluese” që mbretëron këto ditë, te llapjanët nuk ndikoi që ta ulin ritmin e punës. “Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, edhe ne lojtarë kemi dhënë maksimumin, me rëndësi lëndime nuk ka pasur dhe atmosfera është shumë e mirë. Kemi qenë në një vend shumë të mirë në përgatitje, te Banja e Pejës, fusha e Onix-it, me kushte shumë të mira për punë, edhe pse ka qenë vapë ne e kemi përballuar shumë mirë dhe ndoshta ka ndikuar edhe vullneti për punë”, thotë Maliqi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Llapjanët ka vitet që janë në pjesën e epërme të renditjes dhe tani besojnë se ka ardhur koha që të fitojnë edhe trofe. “Nëse shohim Llapin në këto vitet e fundit që ka qenë në kreun e tabelës dhe me përforcime që ka bërë, pa diskutim se synojmë të fitojmë ndonjë trofe dhe me dalë në Evropë”, shpreh optimizmin mesfushori. Disa skuadra konsiderohen si favoritë për titull ndër ta edhe Llapi.

“Mendoj se do të ketë cilësi të përafërt mes skuadrave dhe do të jetë garë e fortë edhe për titull. Në luftë për titull përveç skuadrës tonë janë edhe Drita, Prishtina, Feronikeli, Trepça ’89, Gjilani dhe mund të ketë ndonjë befasi tjetër. Besoj se ka me qenë rivaliteti i madh dhe cilësia e përafërt”, theksoi ai. Maliqi shprehet se çdo vit që po kalon edhe po rritet cilësia e cila u pa edhe në kampionatin që e lamë pas: “Çdo vit cilësia po rritet dhe kjo dëshmon me ardhjen e shumë lojtarëve nga Kampionati i Shqipërisë dhe nga vendet tjera. Me ardhjen e tyre cilësia po rritet dhe po ashtu kemi në kampionatin tonë edhe shumë trajnerë nga Shqipëria, që ka ndikuar që viteve të fundit të rritet cilësia”. Mesfushori tha se presin një nismë të mbarë, ku në hapje takohen me Drenicën nga Skenderaj.

“Jemi të kompletuar dhe presim një fillim të mbarë. Punën e kemi bërë dhe vetëm të kemi fat që t’ia arrijmë synimet”, thotë futbollisti. A prisni shikueshmëri më të madhe? “Presim shikueshmëri më të madhe kur dihet se është edhe një rivalitet i madh mes skuadrave”. Keni qenë pjesë e shumë ekipeve tjera, si ndiheni në Llap? “Vërtet kam qenë pjesë e ekipeve të shumta, me shoqëri të mirë, edhe këtu te Llapi është një shoqëri shumë e mirë, grup shumë i mirë dhe besojmë në sukses”, përfundoi Maliqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat