Pse nuk u ftuan Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”? - Bota Sot
Pse nuk u ftuan Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”?

Futboll

E premte, 16 nëntor 2018

Pse nuk u ftuan Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”?

Nga: Kemajl Goca Më: 14 gusht 2018 Në ora: 13:45
Hasi, Kozniku e Shala

Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku, të harruar apo nuk iu ra ndërmend Federatës së Futbollit të Kosovës që t’i fton në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e Superkupës së Kosovës, mes Dritës dhe Prishtinës! Kujtim Shala tha se nuk është ftuar po ashtu edhe Ardian Kozniku, ndërsa sa i përket Besnik Hasit nuk kemi asnjë informacion, se është ftuar apo jo! FFK-ja, nuk i fton këta dy emra të mëdhenj të futbollit në një përurim madhështor të stadiumit “Fadil Vokrri”!

E para, Ardian Kozniku, i mirë apo i keq, ka qenë prej futbollistëve që iu është përgjigjur kombëtares së Kosovës, në ndeshjen e parë, me 14 shkurt të vitit 1993, kundër Shqipërisë. Këtë ndeshje revyale Kosova e kishte humbur me rezultat 3:1 në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë. E dyta, Kujtim Shala, i mirë apo i keq, ka luajtur së bashku me të ndjerin Fadil Vokrri, në kohën e gjeneratës së artë të Prishtinës. Sigurisht ka edhe shumë emra tjerë që nuk janë ftuar, me dije apo pa dije! Këtë më së miri e dijnë ata që janë në FFK dhe fundja ata janë që vendosin se çfarë të bëjnë! Pse morëm shembull Koznikun?

Ai ka qenë pjesë e kombëtares së Kroacisë dhe ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në vitin 1998? Kozniku është shënuesi i parë i kampionatit të pavarur kroat! Nuk ka gjë më mirë se në historinë e futbollit kroat të kemi një shqiptar, si shënuesi i parë në kampionatin e parë e historik!  Kozniku ka luajtur në klubet e njohura, Prishtinë, Hajduk dhe në disa klube të mëdha franceze, nga Cannes, Le Havre, Bastia etj. 

Po pse Shala? Kujtimi ka luajtur në klubet të mëdha, si KF Prishtina, Dinamo Zagreb, Rennes,  Fortuna Dyseldorf etj. Sa më shumë emra të mëdhenj, aq më fuqishëm e kemi panoramën edhe në rrafshin ndërkombëtar. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, sigurisht këtë lëshim e ka bërë pa qëllim sepse po t’i binte ndërmend, do t'i kishte ftuar me përzemërsi sepse do t’ia nderonin edhe konakun! Agim Ademi i mirë apo i keq, ka kontribuar në kohën e okupimit dhe i ka rezistuar shovenistëve serb. Në të ardhmen, ai duhet të jetë i kujdesshëm me bashkëpunëtorët e tij sepse i do apo nuk i do yjet, është mirë të ftohen në ngjarjet e mëdha.

A vijnë a nuk vijnë ata në ngjarjet e mëdha, është çështje e tyre!  Mos të harrojmë edhe Fadil Muriqin, ani pse është në Australinë e largët, meriton ftesë, se edhe ai i takon këtij nën qiellit dhe shumë emra tjerë.  Prandaj, FFK-ja duhet gjithmonë t’i ketë parasysh emra të mëdhenj që ka pasur Kosova dhe ka aktualisht në Evropë e botë!  Kur Koznikun e fton një Federatë e Futbollit e Kroacisë dhe një shtet kroat në 25-vjetorin e çlirimit, në mesin e presidentes kroate Kolinda Grabar – Kitaroviç, apo mes gjeneralëve si Rrahim Ademi e Ante Gotovina, përse ne nuk e ftojmë? A vjen a nuk vjen, është çështje tjetër!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test