Situata në zhveshtoret e Manchester United vazhdon të jetë mjaft e tensionuar.
Marrëdhënia mes trajnerit të Manchester United, Jose Mourinho, dhe mesfushorit francez, Paul Pogba, sa po shkon e po prishet më shumë.
Kampioni i sapo shpallur i Botës, ndihet i burgosuri i portugezit, ndërsa trajneri portugez është i lodhur me ankesat e futbollistit të tij.
Sipas tabloidit anglez “The Sun”, që citon një burim të besueshëm në zhveshtoret e “Djajve të Kuq”, ka pasur një debat të nxehtë mes palëve, pas fjalëve të francezit se “nuk ndihem i lumtur dhe nuk mund të flas më shumë sepse më gjobisin.”
“Nëse akoma dëshiron të largohesh nga Manchesteri, – mësohet t’i jetë drejtuar Mourinho, – duhet të ma kërkosh, që të të lë ta bësh një gjë të tillë. Dhe nëse ke ndonjë problem me mua, ma thuaj në sy, jo në media.”
E menjëhershme përgjigjja ironike e Pogbasë: “Nëse dëshiron të flasësh me mua, telefono menaxherin tim.”
Për Pogban ka shprehur interesim të madh Barcelona, por duket e vështirë që ai të largohet në këtë afat kalimtar nga “Djajtë e Kuq”.