Manaj: Pritet luftë e ashpër për titull

Futboll

Manaj: Pritet luftë e ashpër për titull

Nga: Kemajl Goca Më: 17 gusht 2018 Në ora: 18:40
Manaj: Pritet luftë e ashpër për titull

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll, gjithsesi se pritet me kureshtje të madhe nga tifozët, për faktin se një numër i skuadrave janë përforcuar dhe synojnë titullin e kampionit. Sulmuesi i Trepçës ’89, Arb Manaj, tha se janë mirë të përgatitur për edicionin e ri dhe premton lojëra sa më të mira.

“Sa i përket përgatitjes, mendoj që jemi përgatitur mjaft mirë. Kemi zhvilluar dy faza përgatitore, një në Kosovë dhe një në Ohër të Maqedonisë, ku kemi qëndruar 10 ditë dhe më e rëndësishmja e përgatitjes ishte se nuk kemi pasur lëndime serioze. Jam shumë optimist për edicion e ri dhe Trepçën ‘89 e shoh një nga pretendentet për titull”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Manaj. Futbollisti tha se do të jetë një kampionat interesant dhe luftë e ashpër edhe sa si përket skuadrave që mëtojnë titullin e kampionit: “Mendoj se lufta për titull do të jetë edhe më e ashpër se vitin e kaluar. Ekipet kryesore për titull i shoh Prishtinën, Dritën dhe Llapin”.

Manaj mendon se do të ketë edhe rritje të cilësisë dhe të shikueshmërisë. “Rritja e cilësisë në futbollin e Kosovës çdo vit e më shumë po rritet sigurisht edhe shikueshmëria. Besoj se do të ketë rritje të shikueshmërisë, duke i parë edhe synimet e klubit”, theksoi sulmuesi.

Sipas tij, Trepça ’89 dallon diçka nga skuadrat tjera: “Mendoj se jemi një ekip shumë i bashkuar dhe ka shumë harmoni në klub, pa e harruar që e kemi një trajner fantastik si Gugash Magani”. Manaj beson e shpreson se do të ketë një edicion të bereqetshëm dhe synimet e tija janë që të shënojë sa më shumë gola. “Tifozëve dhe sportdashësve mitrovicas ju premtoj angazhim maksimal”, ka thënë Manaj. Futbollisti tha se atmosfera është shumë mirë brenda kolektivit dhe sipas tij, do t’i qasen secilës ndeshje sikurse të jenë një finale.

“Mos të harrojmë se ndeshjet do t’i marrim një nga një, me angazhim maksimal dhe do t’i luajmë të gjitha si finale”, përfundoi Manaj. Mitrovicasit janë të përgatitur për takimin e nesërm (16.45) që do të luajnë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, kundër Feronikeli. Synimi i tyre është të kthehen të pamposhtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat