Pep Guardiola kërkon të mposhtë konkurrencën dhe që tani ka gati ofertën prej 60 milionë stërlinash për të marrë nga skuadra e Wolverhampton mesfushorin portugez Ruben Neves, që nga të gjithë konsiderohet si “Andrea Pirlo i ri”.
Trajneri spanjoll kërkon që të mos pësojë një tjetër dështim në merkato, si këtë verë, kur nuk arriti të merrte mesfushorin italian Jorginho, që u transferua të Chelsea, ndaj kërkon që të mbyllë që tani marrëveshjen. Për Neves po interesohet edhe Chelsea, ndaj 21-vjeçari mund të jetë në qendër të merkatos së janarit.
Neves (2 ndeshje dhe 1 gol këtë sezon) ka magjepsur trajnerin spanjoll, që e konsideron si një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen, sidomos tani që është dëmtuar belgu Kevin De Bruyne. Ndaj drejtuesit e City kanë nisur bisedimet me Jorge Mendes, që është menaxheri i lojtarit portugez, për ta sjellë në “Etihad” që në janar dhe të mos presin verën e ardhshme. Lojtari ka një kontratë deri në vitin 2023 me Wolves, ndaj nuk ka pse të nxitojë për të biseduar për rinovimin e saj dhe çfarëdo oferte që të vijë do të kënaqë skuadrën që luan në Premier League.