Eminhaziri: Ndeshje e vështirë me Feronikelin

Futboll

Eminhaziri: Ndeshje e vështirë me Feronikelin

Nga: Kemajl Goca Më: 24 gusht 2018 Në ora: 18:56
Eminhaziri: Ndeshje e vështirë me Feronikelin

Sfida kryesore e javës së dytë të IPKO Superligës së Kosovës pa dyshim është nesër (16.45) mes Drenicës nga Skenderaj dhe Feronikelit nga Drenasi, njëherësh është edhe derbi i rajonit të Drenicës. Përballja mes rivalëve drenicas luhet në stadiumin “Bajram Aliu” dhe pritet që të tubojë sa më shumë tifozë. Drenica është e frymëzuar pas fitores në udhëtim në hapje të edicionit, kurse Feronikeli pretendon se janë më të mirë. Isa Eminhaziri, sulmues i Drenicës, vlerëson se sfida me Feronikelin është jashtëzakonisht e vështirë por shpreson në tri pikë. “Jemi të përgatitur maksimalisht për lojën që na pret.

Është një ndeshje e vështirë por shpresoj që të dalim me rezultat pozitiv”, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot”, Eminhaziri. Ku është forca e Drenicës? “Harmonia në ekip dhe grupi që luajmë të gjithë për një dhe një për të gjithë”, thotë sulmuesi. Drenica është e trimëruar pas fitores në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 1:0 kundër Llapit.

“Normal se fitorja në Podujevë që na ka shtuar edhe më shumë vetëbesimin në ekip. Fitorja që e arritëm në fushë të Llapit ka treguar se kur luan si grup mund të arrish shumë”, thotë Eminhaziri. Drenica ka si përparësi fushën. “Jemi komplet por kemi disa mangësi, që 2-3 lojtarë akoma nuk janë të përgatitur fizikisht. Përparësia është fusha si vendase dhe presim një numër të madh të shikuesve edhe pse Feronikeli është një ekip i madh, por me ndihmën e tifozëve besoj që do të dalim fitues”, tha Eminhaziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat