I dehur në timon, arrestohet kapiteni i Francës: Më falni, e papranueshme

Futboll

I dehur në timon, arrestohet kapiteni i Francës: Më falni, e papranueshme

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 20:06
Hugo Lloris

Gjithçka ndodhi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje. Hugo Lloris, portier i Tottenhamit dhe kapiten i “gjelave” të Francës, të sapokurorëzuar kampionë bote, është arrestuar në Londër pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Futbollisti nuk e kaloi me sukses testin për alkoolin, teksa u ndal nga policia, ndaj efektivët vendosën ta shoqëronin në “Charing Cross” të Londrës, përpara se ta lironin me kusht. Portieri 31-vjeçar duhet të paraqitet tashmë në Gjykatën “Westminster Magistrates” më 11 shtator.

“Një person është ndaluar gjatë një kontrolli rutinë në Gloucester Place, këtë të premte 24 gushti, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur, – lexohet në komunikatën e policisë londineze. – Emri i tij është Hugo Lloris, 31 vjeç, rezident në East Finchley”.

Për numrin 1 të përfaqësueses së drejtuar nga Deschamps do të jenë ditë të vështira, megjithatë, ai reagoi që këtë pasdite, duke shprehur keqardhjen për çfarë ndodhi.

“Kërkoj falje ndaj familjes sime, klubit tim, shokëve të skuadrës, trajnerit dhe të gjithë tifozëve, – shprehet ndër të tjera 31-vjeçari i Tottenhamit. – Padyshim që është e papranueshme të drejtosh mjetin në gjendje të dehur, marr përgjegjësi të plotë për gabimin tim. Ky nuk është shembulli që duhet të jap”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat